JO hakmarrjes dhe revanshizmit...


Shkruan: Ibrahim Kelmendi
(Fragmente të veprimtarisë së UDB-së në emigracion)

Duke u nisur nga parimi se shoqëria jonë sapo ka dalë nga një proces që mund të quhet KTHESË në perceptimin e përvojës historike, shtrohet si domosdoshmëri përballimi me tri fenomene: Me dukurinë e TRURIT TË SHPËLARË; Me dukurinë e SHKARKIMIT TË URREJTJES SË AKUMULUAR dhe Me DUKURINË E NDJESËS, TË PENDESËS DHE TË FALJES. Nisur nga përvoja personale, thënë pa modesti, goxha e begatë, nga leximet dhe përvojat e popujve me histori shëmbëllyese, do ta përvijoj opinionin tim, gjithnjë me konsideratën se nuk duhet vonuar dhe as shpërfillur gjykimin për çështjet që shtrohen. E zura ngoje më herët çështjen e kohës, me pretendim zbutjeje, sado që nuk është i pakët as intervali prej pesëmbëdhjetë vjetëve. Kualifikimi TRANZICION i këtij intervali na përballë me rrezikun e adaptimit të pafalshëm me status quon. Pashmagshëm shtrohet impakti i një fundi: sot dhe këtu! Në çdo variant këmbëngul: Jo hakmarrje dhe revanshizëm!

Edhe konkretizimi i angazhimit të UDB-së në emigracion mund të dëshmojë se sa të vështirë e ka shoqëria jonë ta përpunojë të kaluarën e afërt. Edhe më të vështirë e ka të marrë qëndrime konkrete, ndëshkuese, sidomos ndaj ish-nomenklaturës komuniste dhe ish-UDB-së së KSA të Kosovës. Për ta argumentuar këtë konstatim do të sjell fragmente nga ballafaqimet, informimet, (ç)vlerësimet dhe përjetimet, të ndodhura në të kaluarën. Ndihem i detyruar t’i ofroj këto shpjegime sepse, kur paraqita opinionin për një si catarsis (pastrim shpirti), rrjedhimisht për një pajtim kolektiv, ose paqësim kolektiv, në komentet e shumta publike në “rrjetin social” (FB) pati edhe kundërshti serioze, disa prej të cilave përmbanin fuqi argumentuese. Ende më interesante qenë reagimet përkrahëse ose kundërshtuese, të shprehur në komunikim intern, që të mos mund t’i dijë publiku. E vetëkuptueshme, tematikë e rëndë, prandaj individë të rezervuar e konformistë, o zgjedhin heshtjen, o shprehin opinione që nuk duhet t’i di publiku i gjerë.

Me dëshirë do të kisha filluar t’i ofroj edhe rrëfimet e prindërve si, ta zëmë, se çfarë peripecish ka pasur babai im për të mbijetuar për shkak të angazhimeve të tij çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Por, ajo që më ka drithëruar akoma më shumë është dhjetori i vitit 1956, kur nëna i është lutur Zotit që të më vdiste, duke mos mundur t’i përballonte tmerret e fatkeqësisë sime. Pra, në atë dhjetor të kobshëm, në moshë rreth 15-muajsh, bie në vatër të oxhakut dhe digjem i tëri nga beli e sipër. Kjo ndodh kur babanë e kishte arrestuar UDB-a famëkeqe dhe e mbante të lidhur për trup të kumbullës në oborr të stacionit të policisë në Kliqinë (Pejë). Ndodhi në atë dhjetor të mallkuar që, si për inat, ishte tepër i acartë. Në pamundësi të më dërgonin menjëherë për mjekim, sëmundja nga ajo djegie zgjat gati tre vjet.

Për atë kohë e ato vuajtje që i ka shkaktuar UDB-a popullit tonë është shkruar goxha shumë, por nuk janë ndriçuar të gjitha. Kujt t’i kërkoj tani llogari për ato krime dhe të tjerat, të mëvonshme, ndaj nënës, vëllezërve e motrave, kushërinjve, popullit, që i ka bërë UDB-a!? Unë ndihem i plotësuar: Çlirimi i Kosovës ishte hakmarrja më e vyer.

Meqë u përcaktova ta paraqes veprimtarinë e UDB-së në emigracion, duke sjell ballafaqimet, përjetimet dhe informimet që kam mbledh nga të tjerët, po kapërcej gjithë ato që di e kam përjetuar deri në qershor të vitit 1976, në prag të arratisjes. Paraprakisht po informoj edhe për një ndodhi, nga e cila do të shihet se përpunimi i së kaluarës sonë të afërt vetëm në dukje është i lehtë.

Më 26 ose 27 nëntor 1975 rreth 40 studentë të fizikës, viti i 3-të, bëmë një protestë të vockël, pothuajse aksidentale. Kërkuam që në vend të profesorëve serbë nga Beogradi e Nishi, të na silleshin profesorë nga Tirana, sipas marrëveshjes mes dy universiteteve tona. Shkak ishte një diskriminim që na pat bërë një profesor serb. Ajo protestë u politizua panevojshëm nga nomenklatura e atëhershme komuniste, e cila me nxitim e gjykoi si protestë nacionaliste, në prag të festës së 28 Nëntorit, edhe pse asnjëri nga protestuesit as që e kishte menduar që protesta të ketë karakter patriotik e politik.

Për dënimin e protestës si më të zellshëm u shquan prof. Rexhep Gashi, shef i katedrës së Fizikës, Mahmut Alidemaj, kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore (FSHMN), Gani Jashari, sekretar i asaj Lidhjeje. Politizimi eskaloi deri në atë nivel, sa Lidhja Komuniste e FSHMN-së, në qershor të 1976-s, të mbante mbledhje për të marrë vendim dënues, që pastaj të angazhohej UDB-a. Në mbledhje mori pjesë edhe Dragan Cvijiq, kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të KSA të Kosovës, rektori Dervish Rozhaja dhe funksionarë të Lidhjes Komuniste të Prishtinës. Mbledhjen e kryesonte sekretari i Lidhjes Komuniste të FSHMN, prof. Muhamet Bicaj. Në mbledhje po merrja pjesë edhe unë, si një nga të fajësuarit për organizim të protestës. Gjatë diskutimeve filluan të përvijohen dy fraksione, ai mbrojtës, tjetri dënues. Në mbrojtje na dolën rektori Rozhaja, prof. Asllan Pushka, prof. Mustafë Bacaj etj., kurse dënues prof. Rexhep Gashi, prof. Muhamet Bicaj, Gani Jashari, Mahmut Alidemaj etj.

Nga frika se në fund të mbledhjes do të operonte UDB-a, dola sikur po shkoja në banjë, por ika pa u përshëndet me njeri, shkova në Fushë-Kosovë, i hipa trenit për në Gjermani.

Konstatime: E para, edhe ajo mbledhje dëshmon se Lidhja Komuniste e ushtronte pushtetin monist. E dyta, të dyja palët e konfrontuara në atë mbledhje i kishte dhe i kanë ithtarët e tyre, bile pjesëtarët e palës dënuese ndoshta kanë më shumë ithtarë sesa pjesëtarët e palës mbrojtëse. Prandaj nuk ia vlen të konfrontohemi tani mes nesh, edhe për faktin se mund të dalin të fituar komunistët më të angazhuar shqiptaro-jugosllavë dhe ithtarët e tyre. Akoma më e konkretisht: më i fituar doli dhe është, ta zëmë, prof. Muhamet Bicaj sesa prof. Mustafë Bacaj, sepse i pari u katapultua në kreun pushtetit monist, por edhe në qeverinë virtuale “demokratike” (1990-1998) dhe po të garonin edhe tani mes tyre për vota, do të dilte i fituar prof. Muhamet Bicaj. Ja, fatkeqësisht, këtë mendësi duhet të ketë shoqëria jonë tani.
Sikur rezulton se nuk kishim të bënim vetëm me një ish-Lidhje Komuniste homogjene, monolite, dhe as me një UDB homogjene, e cila komandohej nga kreu i LKK-së. Ato përbëheshin nga pjesëtarë të tyre, që dallonin mes tyre. Kjo bën që njerëzit të rezervohen për t’i gjykuar njësoj të gjithë pjesëtarët e ish-strukturave të atij sistemi monist e pushtues. Pason edhe e vërteta tjetër: të gjithë pjesëtarët e asaj nomenklature komuniste nuk e kanë përzgjedhur me dëshirë atë sistem, ai ishte i imponuar edhe përdhunshëm. Ky fakt të detyron të mendosh njerëzishëm, se shumë pjesëtarë të hallkave të atij sistemi ishin njëkohësisht viktima, edhe pse të privilegjuara materialisht.

Në vazhdim do të sjell shembuj nga pala e të përndjekurve, për të parë se edhe kjo palë nuk ishte gjithaq homogjene, për të pasur të drejtë morale të trajtohet kolektivisht si e përndjekur dhe prandaj, si palë, të kërkojnë hakmarrje e revanshizëm ndaj nomenklaturës së atij sistemi. Një shumësi e madhe e pjesëtarëve të kësaj pale madhëron disa individë, me arsyetim se kanë qenë kundërshtarë politikë e çlirimtarë kundër atij sistemi e regjimi, që do të thotë se kanë qenë veprimtarë çlirimtarë por, në fakt, rezulton të mos kenë qenë të tillë.

Hasan Hoxha në gosti me ish-shefin e UDB-së së Malit të Zi

Në verë të vitit 1974 ose ’75 isha për vizitë në fshatin Vuthaj (buzë Gicisë), meqë nga ai fshat ka prejardhje familja jonë). Duke qenë vizitor te kushëriri Jusuf (Zeqir) Bruçaj, vendosim të shkojmë për vizitë te kushërinjtë e tjerë, që verës rrinin në bjeshkë, e quajtur Fusha e Cirme (panë kufirit me RPS të Shqipërisë). Një motiv më tepër për të shkuar ishte edhe prania e mysafirit Hasan Hoxha atje. Me origjinë ai ishte nga rrethi i Tropojës, i arratisur nga Shqipëria në Mal të Zi pas LDB-së. Në ndërkohë ishte bërë dhëndër yni. Jusufi e njihte atë nga vizitat e mëparshme. Nga ai kishte marrë libra “të ndaluar”, që i kishte botuar emigracioni politik “djathtistë”. Gjatë vajtjes Jusufi ma prezantoi Hasanin, duke e lavdëruar si kuadërpatriot, meqë ishte kryetar i Partisë Legaliteti, Dega në Belgjikë. Kur arritëm atje së pari ia mësymë dëbanit (stanit) të kushëririt më të moshuar, Sokol (Avdi) Bruçaj. E gjetëm buzë vatre, të mërzitur, edhe pse shquhej si plak i hareshëm dhe orator. Ofshani kur na pa: “Keni ardhur në një ditë të zezë për familjen tonë, sepse sot kemi mysafir ish-shefin e UDB-së së Malit të Zi. Ka ardhur për ta nderuar dhëndërinë tonë, Hasan Hoxhën. Ata po bëjnë kokrrën e sefasë nën hijen e horomoçit, para stanit tjetër, ku është shtruar gostia...”. Jusufi turfulloi: “Hasanin e dija për patriot...”. Mixha Sokol na informoi për angazhimet e shumë shqiptarëve të arratisur nga Shqipëria, të cilët i kishte përvetësuar UDB-a nëpërmjet shantazhit, o të angazhoheshin t’i shërbenin asaj, o do t’i kthente në Shqipëri.

Jusufi pastaj rrëfeu edhe për të motrën e vet, të martuar për vëlla të Hysen Prushit në fshatin Prush të Gjakovës (buzë kufiri). Ajo familje shquhej si bazë e UDB-së. Bile rrëfeu se kishte provuar ta bindte motrën ta vriste kunatin Hysen Prushi për krimet që kishte bërë, por ajo nuk kishte pranuar.

Në vitin 1978 shkova për vizitë në Bruksel me Hysri Rekën (Nerodime e Ferizajt), sepse ai e kishte atje vëllain, Basriun. Unë ndeja disa ditë aty, kurse Hysriu u kthye, sepse duhej të punonte. Kishim me vete edhe material propagandistik që t’ua shpërndanim bashkatdhetarëve. Nëpërmjet Basriut njoha shumë bashkatdhetarë, kryesisht shqiptarë nga Turqia. Njoha edhe dy luftëtarë veteranë të LDB-së: Gjelë e Hysen (Xhelili) Kalishta, nga rrethi i Tetovës. Gjela kishte qenë disa vjet kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Dega në Belgjikë. Prej tyre dëgjova shumë për emigracionin politik në Belgjikë, dëgjova edhe për dhëndrin Hasan Hoxha, kryetar i Legalitetit aty. Secili me keqardhje thoshte se emigracionin politik në Belgjikë e kontrollonte dhe e dirigjonte UDB-a.

Një ditë me Basriun shkuam në një kafe, e cila përflitej si vendtakim i zogistëve. Aty gjetëm Muharrem Bajraktarin, për të cilin kisha lexuar se ka komanduar vrasjen e Bajram Currit, duke qenë mercenar i Mbretërisë Jugosllave. Tani isha kureshtar për të dëgjuar nga gojë e tij për atë krim. Ai rrëfeu me krenari se kishte komanduar vrasjen e “komunistit” Bajram Curri. Përbetohej se do ta përjetonte çlirimin e Shqipërisë (edhe pse dukej se nuk kishte rrojtje të gjatë) me ndihmë edhe të Beogradit. Posa mbaroi rrëfimin, i thash se brezit të ri në Kosovë nuk i intereson lufta për pushtet në Shqipëri, por çlirimi i Kosovës nga pushtimi jugosllav. Ai dhe të tjerët që ishin aty më bombarduan me marrëzitë: “Ju kuçaloshët e Enverit nuk jeni të vetëdijshëm se më të mirë e keni jetën në Jugosllavi sesa në Shqipëri...”.

Po në atë kafe pata takuar dhëndrin Hasan Hoxha. E rikujtuam vizitën e tij në Vuthaj. Ai më fodullëk fliste se me ndihmën e Beogradit do ta çlironin Shqipërinë nga diktatura komuniste, siç e kishte çliruar Ahmet Zogu nga “revolucioni bolshevik” i Nolit. Në akuzën time se kishte mik ish-shefin e UDB-së republikane të Malit të Zi, ai qe arsyetuar: “Edhe Nderim Kupi, kryetar i Partisë Legaliteti, ka studiuar e jetuar shumë vite në Beograd, bile gjithnjë ka banuar në hotel ‘Slavia’, sepse Beogradi ndihmonte dhe e ndihmon Legalitetin për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura komuniste...”. Ai nuk turpërohej se partia e tij, Legaliteti, kishte poltron një regjim të njëjtë komunist, monist, pos kësaj edhe pushtues e sundues të trojeve shqiptare.

Tani, të gjithë këta individë, kanë rreth të gjerë njerëzish që i admirojnë, prandaj gjithsesi është e dëmshme të ndodhin konfrontime në kohë të tanishme.

“Besëlidhja Shqiptare” e Emin Fazliut

Në semestrin veror të vitit 1977, me ndihmë të albanologut kroat dr. Lazar Dodiq (nga Janjeva e Kosovës), u regjistrova në Universitetin e Bochumit. Aty pata rast ta takoj veprimtarin kroat Damir Petriq, ish-udhëheqës i lëvizjes studentore të Splitit në vitin 1971. Ai më informoi për organizatën “Besëlidhja Shqiptare” dhe kryetarin e saj Emin Fazlia, alias Emil Kastrioti (nga rrethi i Mitrovicës). Më dha edhe materiale propagandistike të asaj organizate. Më shumë se dy të tretat e shkrimeve u dedikoheshin kampeve e diktaturës në Shqipëri, vetëm tek-tuk ndonjë shkrim i vogël për Kosovën. 

Duke i frekuentuar veprimtaritë e emigracionit kroat, u informova akoma më shumë. Në një protestë të tyre, në vitin 1978, takova Eminin. Nga ai u (dez)informova se “kryesisë” së asaj organizate i përkisnin edhe Vebi Ibrahimi (Unglar, Gjilan), Maliq Cakaj (ish-nëpunës i konsullatës jugosllave në Dortmund, Gjermani), Fekë Dautaj (Kodrali, Deçan), Avdullah Jusufi etj. Në ndërkohë u informova se Emini, Vebia, Maliqi, ndoshta edhe Avdullahu i kishin bashkëshortët serbe. Për mua ishte argument i mjaftueshëm për të krijuar dyshime fillestare, sepse në atë kohë patriotët shqiptarë nuk martoheshin me serbe, aq më pak ata që pretendonin të kishin themeluar në organizatë patriotike me emër aq pompoz. Dyshimet në atë organizatë u përvijuan me shumë kur u informova se Fekë Dautaj, edhe pse gjysmanalfabet, ishte caktuar redaktor i broshurës “Besëlidhja shqiptare” (organ i asaj organizate). Për Fekën dija qysh në vitet e ’60-ta, se kishte qenë bashkëpunëtor i UDB-së në Pejë dhe si i komprometuar i ishte bërë gjyq. Kishte qenë bashkëveprimtar edhe me një farefis timin me nofkën “sialica”. Emini më kishte gënjyer se kishte studiuar filozofi në Zagreb. E zbulova nëpërmjet zv/rektorit të atij Universiteti, që ishte një vit profesor mysafir në Universitetin e Bochumit. Në ndërkohë çfarë nuk (dez)informonin njëri kundër tjetrit, sa herë që i takoja veç e veç.

Për t’u hakmarrë kundër meje për kërcënimin që i kisha bërë Fekë Dautajt, në vitin 1979 Emin Fazlia boton një shkrim dezinformues në gazetën “Hrvatska Drżava” (e botonte një organizatë kroate), se unë isha pjesëtar i RAF-it gjerman (Rote Army Fraktion / Fraksion i Ushtrisë së Kuqe). Pason tentativa për të më arrestuar policia speciale gjermane GSG9, por bllokohet nga studentët e konviktit. Në fund rezulton se ai aksion ishte ndërmarrë duke u bazuar në atë shkrim.

Për Vebi Ibrahimin, pos që isha informuar nga bashkatdhetarët në Bruksel, se ushtronte tregti me gjëra inkriminuese, ai u identifikua në një flagrancë kriminale konkrete. Në qershor të 1981-s në Bruksel shkuam Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Hisri Reka dhe unë për t’u marrë me organizimin e demonstratës së planifikuar. Njerëz të sojit të Vebi Ibrahimit kishin shpërndarë kërcënimin se do të derdhej gjaku, po të guxonim të organizonim demonstratë. Shkuam me makinë të Bardhit. Ishim vendosur në banesë të Basri Rekës. Në një moment, duke ardhur aty bashkëveprimtari, sa mbaj mend Xhemë Haxhijaj (nga Uça e Istogut, i cili jetonte në Bruksel) sheh Vebiun duke u marrë me makinë me targa të Gjermanisë. E pyet nëse e kishte blerë në Gjermani. Ai, në vend se t’i përgjigjet, merr vrapin e ik. Xhema sapo hyri në banesë të Basriut, pyeti nëse ishte makina jonë me targa gjermane, e parkuar rreth 50 metra larg hyrjes. Kur ia pohojmë, rrëfen se si e pa Vebiun që i ishte afruar dhe po bënte diç në atë makinë.

Megjithatë, demonstrata u bë dhe kishte më shumë pjesëmarrës sesa çdo demonstratë që ishte organizuar më herët në Bruksel (pavarësisht se Reshat Sahitaj me ca shokë të tij thirri demonstratë tjetër sabotuese, por në atë demonstratë morën pjesë ndoshta vetëm rreth 30 vetave). Asnjë incident nuk ndodhi.

Vebi Ibrahimi është vrarë në Bruksel më 10 tetor 1981, por jo për veprimtari patriotike e çlirimtare. Mbrapa la të ve bashkëshorten serbe. Atëherë gjykuam se edhe ai ishte pjesëtar i një bande, e quajtur për kamuflim “Besëlidhja Shqiptare”, që komandohej nga UDB-a nëpërmjet kryetarit Emin Fazlia.
Tashmë emrin e Vebiut e mban shkolla në Uglar dhe në oborr të shkollës i është ngritur përmendore e madhe. Për të janë sajuar lavde e këngë heroike.

Në vitin 2007 m’u botua romani “Atentatet”. Pos shumë të tjerëve, m’u kishin hidhëruar Emin Fazliu dhe disa fshatarë të Uglarit. Për botim të romanit kishte dhënë ndihmë 500 SFr një ish-bashkëveprimtar nga ky fshat, që jeton në Zvicër. Ndaj tij kishin shfaqur hidhërimin disa bashkëfshatarë, pse kishte ndihmuar botimin e romanit që baltoste heroin e tyre, Vebi Ibrahimin. Ai u ishte përgjigj: “Nuk e kam lexuar romanin, por po të dija se ka shkruar keq për Vebiun, do ta kisha ndihmuar edhe më, sepse unë di më shumë sesa Ibrahimi për prapësitë e Vebiut”. Më pyeti nëse isha i gatshëm të shkoja në Uglar për të biseduar me ata që ia kishin shfaqur hidhërimin. Shkuam. Biseduam. Më erdhi keq për ato viktima të dezinformimeve e mashtrimeve flagrante.

Atëherë kisha bindjen se ky sojë i individëve ishin pjesëtarë të UDB-së, prandaj ishin komanduar të merreshin me këso veprimtarish konkrete kundër emigracionit të organizuar patriotik e çlirimtar. Vetëm spiunimi nuk u mjaftonte, meqë ne e ushtronim publikisht pjesën më të madhe të veprimtarisë sonë. Ishin përcaktuar edhe për operacione fizike.

Tashmë të gjithë këta individë kanë rreth të gjerë njerëzish që i admirojnë, prandaj gjithsesi është e dëmshme të ndodhin konfrontime tani.

Konfrontimet e Klubit Shqiptar në Dyzeldorf me UDB-në

Në vitin 1978 nëpunësi i konsullatës jugosllave në Düsseldorf (Dyzeldorf) Zenel Syka (nga Gjakova) ndërmerr nismën për formim të një klubi të emigrantëve tanë. Atë nismë e kuptuam si masë preventive të UDB-së për t’i kontrolluar bashkatdhetarët tanë. Në mbledhjen e parë themeluese ai imponon Enver Maliqin (biznesmen i madh e me influencë në Shkup) për kryetar, kurse shumica e pjesëmarrësve votojnë Rrahman Begën (Jezerc, Ferizaj). Mbledhja përmbyllet me konflikt. Në mbrëmje dy veta sulmojnë Rrahmanin në banesën të tij, e plagosin me thikë dhe e kërcënojnë të mos pranonte të bëhej kryetar. Pason mbledhja tjetër, ku kryetar zgjidhet Nebih Reka (Nerodime, Ferizaj), sekretar Qazim Shala (rrethi i Suharekës), arkëtar Samedin Iljazi (Tetovë) etj.

Plas konflikti rreth emërtimit: “klub shqiptar” ose “klub jugosllav”. Konsullata jugosllave kërcënonte. Në ndihmë të saj u paraqitën edhe “korrespondenti” Jusuf Buxhovi dhe Mitalip Çoça (kryetar i Qendrës Kulturore Jugosllave në Köln (Këln). Nebih Reka e Qazim Shala kërkojnë ndihmë nga Shefqet Hashani (sekretar i parë i Ambasadës Jugosllave në Bonn). Me përkrahjen e tij fiton emërtimi Klub Shqiptar. Në vitin 1981, meqë Klubi u konfrontua sërish me konsullatën, sepse nuk pranoi t’i dënonte demonstratat në Kosovë dhe doli hapur me kërkesën “Kosova Republikë”, Nebih Reka, Qazim Shala, Samedin Ilazi e shumë të tjerë u burgosën kur erdhën për vizitë në vendlindje. Po në maj të vitit 1981 u burgos në aeroport të Beogradit edhe Shefqet Hashani, gjatë ardhjes për pushime, ai u dënua me tetë vjet burgim.

Për t’i minimizuar pasojat, taktizuam zgjedhjen për kryetar të Hamdi Tubës (Rrethi i Gjakovës) dhe shokëve të tij, të cilët ishin informatorë të “diplomatit” Zenel Syka. Por pas disa muajve zgjedhëm kryesi tjetër, të përbërë nga veprimtarë patriotë, si Sylejman Haxhijaj (Llabjan i Pejës), Malush Ademaj (Katun i Ri, Pejë) etj. Edhe këta u burgosën e maltretuan kur ishin për vizitë në vendlindje.

Të gjithë këta individë kanë njerëz që i admirojnë, prandaj gjithsesi është e dëmshme të ndodhin konfrontime në kohë të tanishme.

UDB-a: Jusuf Gërvalla është dërguar nga UDB-a...

Sapo Jusuf Gërvalla ia doli të arratiset dhe u vendos në Gjermani në dhjetor të vitit 1979, filluan shpifjet e dezinformuese kundër tij. Më konkretja dhe më e zëshmja: “UDB-a e ka dërguar për t’i spiunuar veprimtarët patriotë dhe për ta përçarë emigracionin”. Këto shpifje i përhapnin të gjithë nëpunësit e përfaqësive diplomatike jugosllave dhe spiunët e padukshëm. Por, më i zëshmi dhe më aktivi ishte Riza Salihu, i cili, në ndërkohë, ishte afirmuar si udhëheqës i “Grupit Komunist ‘Zëri i Kosovës’” (në Stuttgart).

Kur Jusufi arrin në Ludwigsburg, Bardhi, vëllai më i vogël i tij, më telefonon. Ai më njofton se Jusufi ishte arratisur dhe m’u lut të shkoja në vizitë sa më shpejt.

Me Bardhin isha njohur fizikisht një vit më herët (verë 1978), kur isha te dhëndëri për të punuar, pas ishte përmbyll semestri i studimeve. Duke qenë atje, Bardhi erdhi vizitë bashkëvendësve të tij, që të informohej si i kishin hallet dhe nëse kishin nevojë për ndonjë ndihmë të tij. Ai ishte i angazhuar pranë Arbeiterwohlfahrt (organizatë kjo gjermane, që përkujdesej për të drejtat dhe mirëqenien e punëtorëve). Deri në atë takim nuk njiheshim. Pak ditë më vonë me Hysen Gegën e vizitojmë Bardhoshin. Atë ditë ai po bënte muzikë me një band gjerman, si kitarist, pranë sheshit qendror të Shtuttgartit. Hyseni e furnizonte Bardhin me libra që i porosiste nga Tirana, ose i merrte nga Ambasada Shqiptare në Vjenë, që Bardhi t’i fuste ilegalisht në Kosovë.

Kur shkova për vizitë në Ludwigsburg në dhjetor 1979, te zyra ku ishte i angazhuar Bardhi, gjeta edhe Hysen Gegën dhe dy-tre veta të tjerë. Edhe ata i kishte informuar Bardhi. Ata informuan se Riza kishte filluar të përhapte shpifje, se “Jusuf Gërvallën e ka dërguar UDB-a për t’i spiunuar veprimtarët patriotë dhe Grupin Komunist Zëri i Kosovës...”. Këtë e bënte me zell të sforcuar, duke kaluar kohë të gjatë në stacion të trenit në Shtuttgart, i cili frekuentohej shumë nga emigrantët shqiptarë. Të gjithë u habitem, nga ishte informuar Riza aq shpejt për arratisje të Jusufit. Hyseni na tha se ishte informuar nga Amnesty International (ai) e Londrës, siç i kishte thënë Riza. Meqë unë kisha njohje me zonjën Melani Anderson, përgjegjëse e ai për të burgosurit politikë në Jugosllavi, i telefonuam. Ajo sqaroi se ai ende nuk dinte për arratisje të Jusufit.

Meqë për Rizën kisha krijuar dyshimin qysh në takim të parë (verë 1978), se mund të ishte kuadër i UDB-së, tani analizuam këtë angazhim të tij, kush e kishte informuar, përse shpifte dhe dezinformonte. Rëndom, unë u mundova t’i bind se duhej të ishte informuar dhe komanduar nga eprorët e tij të UDB-së. Këtë qëndrim timin nuk e mirëpriten Hyseni, Maksuti, sepse ata ishin të angazhuar në atë grup, bile Riza u kishte thënë se i kishte kooptuar në Kryesi. Vendosëm të bëjmë informim mbrojtës, duke e paraqitur Rizën se shpif e dezinformon meqë vuan nga paranoja UDB dhe nga frika e konkurrimit që do t’i bënte Jusufi.

Meqë UDB-a nuk ia doli ta bindë emigracionin nëpërmjet Rizës, atëherë atij duhet t’i jetë dhënë urdhri ta likuidonte fizikisht Jusufin, sepse shumë shpejt Jusufi ishte afirmuar si kuadër intelektual, i mirëpritur. Ndoshta në mars 1980 (e mundshme edhe në shkurt ose prill) Riza ia komunikon Hysen Gegës urdhrin “në emër” të grupit për vrasje të Jusufit. E kishte përzgjedh Hysenin si më trimin e më konspirativin. Por, meqë Hyseni ishte shokë me Bardhin, në ndërkohë edhe me Jusufin, nuk e zbatoi atë urdhër. Përkundrazi e dekonspiroi, duke na informuar. Pasoi skenari simulues, që Hyeni ta zvarriste “atentatin”, me arsyetime që i sajuam. Donim të zbulonim kush qëndronte prapa Rizasë. Tek në korrik 1980 e përmbyllëm atë ngjarje të kobshme, me pleqërimin se Rizai duhej ta ndërpriste fushatën shpifëse dhe të mos guxonte të urdhëronte njeri tjetër për vrasje. Pjesëmarrës në atë ballafaqim e pleqërim ishin Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Hysen Gega, Maksut Saramati, unë dhe një koleg i Hysenit, me të cilin banonin në të njëjtën dhomë të konviktit të punëtorëve të firmës ITT në Esslingen.
Në verë të po atij viti Riza vodhi dërgesat që na vinin nëpërmjet poste (Jusufit dhe mua, ndoshta edhe dy vetave, që tani nuk po më kujtohen). Këtë vjedhje ai e realizoi nëpërmjet falsifikimeve, sikur gjoja në kishim bërë kërkesë në postë, që dërgesat të na transferoheshin përkohësisht në postfah në Shtuttgart, të cilin e kishte hapur Riza në emër të tij. Meqë aty po shkonin dërgesa postare të shumë vetave, nëpunësit e postës informojnë policinë. Policia gjermane e arreston Rizën në flagrancë.
Meqë Riza nuk po i përmbahej pleqërimit dhe për shkak të angazhimeve të reja të tij, në nëntor 1980 u mor vendimi që “Grupi Komunist Zëri i Kosovës” të shpërbehej. Në atë vendimmarrje morën pjesë vetë anëtarët e simpatizantët e atij grupi, ku asistonim si mysafirë Jusufi e unë.

Edhe pas kësaj vendimmarrje Riza vazhdonte të përhapte shpifje, sidomos kundër Jusufit e Bardhoshit.
Edhe Riza Salihu ka rreth njerëzish që e admirojnë, prandaj është e dëmshme të ndodhin tani konfrontime.

(Uroj që ish-anëtarët e atij grupi të mos ngurrojnë të japin informata, ku, kur dhe nga kush është themeluar “Grupi Komunist Zëri i Kosovës”, si u udhëhoq, çfarë veprimtarie ka bërë. Mendoj se distanca kohore është e bollshme për të pasur informata më konkrete e më të sakta. Edhe për grupe, organizata e parti të tjera do të duhej të jepen tani të dhëna e informata, ku, kur, kush i themeloi, si u udhëhiqen, çfarë veprimtaria kanë bërë etj.)

Jusuf Gërvalla irritohet nga spiunët e UDB-së

Pos këtyre operacioneve që kreu UDB-a nëpërmjet Riza Salihut, ajo angazhoi spiunë të tjerë për të futur huti e dyshime në radhët tona të organizuara. Gjatë vitit 1980, nga organizimet e “majta” vepronin vetëm dy subjekte: Fronti i Kuq Popullor dhe Grupi Komunist Zëri i Kosovës (i shpërndarë në nëntor të vitit 1980), ndërsa si subjekt i “djathtë” ishte Besëlidhja Shqiptare. Pra, nuk ekzistonin shumë grupe staliniste, kriminale, siç dezinformoi Jusuf Buxhovi.

Gjatë verës së vitit 1980 angazhohen kryesisht Xhevat Ramabaja (Kamenicë, prezantohej si “Xhavit”), Besim Rexha (Gjakovë, prezantohej si “Shpati”), Nuhi Sylejmani (Kumanovë) etj. Ata përpiqeshin ta bindnin Jusuf Gërvallën se unë bashkëpunoj me “reaksionin” kroat, se nga ai kam marr ndihma financiare për të blerë armë për luftën çlirimtare në Kosovë, por që i kam investuar për të ndërtuar hotel “Kalanë” në Zahaq (duke e kamufluar si objekt të dajës) etj. Në fakt, unë kisha huazuar nga zotëri Knezoviq (vëllai i Vinkos, koleg studimesh, ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore në Zagreb në vitin 1971) 50 mijë DM (25 mijë euro), meqë na kishte mashtruar Hysen Muhaxheri (Ferizaj), të cilin e kishte dërguar Elektroekonomia e Kosovës në studime postdiplomike në Gjermani. Mashtrimi perfid i Hysen Muhaxherit ishte: i duheshin 50 mijë DM si kaucion për eksperimente laboratorike në Universitetin e Duisburgut. Rezultoi se Hyseni nuk na mashtroi vetëm mua, kroatin Knezeviq, por edhe disa farefise të tij dhe kolegë gjermanë. Rreth 300 mijë DM u identifikuan se i kishte “huazuar” gjithandej, por i kishte humbur në bixhoz. Këtë të vërtetë të hidhur e dinte Besim Rexha nëpërmjet Vinko Knezeviq.

Për Xhevatin e Nuhiun kisha filluar të dyshoja se janë bashkëpunëtorë të UDB-së. Xhevati ishte anëtar i Partisë Komuniste Gjermane (marksiste-leniniste), kishte marrë pjesë bashkë me Besimin dhe Idriz Bajrën (Istog) në themelim të Frontit të Kuq Popullor (FKP) në verë të vitit 1978. Sjelljet e Xhevatit ngjanin në sjellje UDB-ashi, sjelljet e Besimit i ngjanin dogmatit maniak (prezantohej si anëtar i KQ të PPSH-së). Ato na shtynë që formën organizative të FKP-së ta ndryshonim, ndërsa Xhevatin dhe Besimin i dezinformuam se Fronti nuk ekzistonte më. Nuhiut i frikësoheshin si spiunë shqiptarët e punësuar në fabrikë të Mercedesit (Siendelfingen), meqë jetonin bashkë në konvikte të fabrikës. Këta dhe të tjerë e dezinformonin Jusufin edhe për sabotim nga ana ime të shpërndarjes së revistës “Lajmëtari i Lirisë”.

Kjo dhe ndonjë diversion tjetër bënë që Jusufi të hidhërohej shkurtimisht ndaj meje, por shumë shpejt u sqaruam. Edhe në vitet e pastajmë ai hidhërim kalimtar i Jusufit u shpërdorua, sikur Jusufi më paskësh përzënë nga shtëpia, sikur ai ka dyshuar ndaj meje, sikur nuk ishim bashkëveprimtarë etj.
Edhe këta individë kanë njerëz që i admirojnë, prandaj është e dëmshme që tani të ndodhin konfrontime.

Konfliktualitetet e Sabri Novosellës, Avdullah Prapashticës, Xhafer Shatrit

Gjatë verës së vitit 1981 nga Kadri Zeka na ofrohen për bisedime “Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës”, të përpiluara nga OMLK-ja. Ato u ofruan për të biseduar për bashkim të tri subjekteve të organizuara. I miratuam me modifikime të vogla. Me kërkesë të Jusufit, që veterani Sabri Novosella ta bëjë publike bashkimin, takohen në Stamboll Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla me Sabri Novosellën, në tetor të vitit 1981. Sabriu e pret keq Kadriun dhe bashkimi dështon. Sabriu e komandon Jusufin ta ndërpresë bashkëpunimin me Kadriun. Pason një ftohje, shpejt kalimtare, e marrëdhënieve mes Jusufit e Kadriut. Festimin e 28 Nëntorit 1981 e organizojmë bashkërisht në Esslingen. Jusufi e Kadriu bashkërisht dalin në podium për të mbajtur fjalime e për t’iu përgjigjur pyetjeve të bashkatdhetarëve.
Se si dhe nëpërmjet kujt e ka anëtarësuar Sabriu në LNÇKVSHJ Jusufin për mua ende ka ngelur e pasqaruar.

Në fund të vitit 1979 duhet të jetë simuluar arratisja e “udhëheqësit” Sabri Novosella në Shqipëri. Rezulton se transportimin e tij nga Prishtina deri buzë kufiri e ka bërë ish-shefi i UDB-së së Prishtinës, Ibush Kllokoçi. Prej andej Sigurimi organizon vendosjen e tij në Turqi. Deri në fund të gushtit ai fare nuk e kontakton Jusufin (qoftë vetëm nëpërmjet telefoni ose në ndonjë formë tjetër). Tek pasi shteti shqiptar duhet t’i jetë përgjigjur lutjes së Jusufit për ndihmë financiare, të cilat i dorëzohen Sabriut në Turqi (bëhet fjalë për miliona USD), Sabriu e kontakton Jusufin (të cilit ia përcjellë vetëm 10 mijë USD, aq sa kishte kërkuar Jusufi për të blerë makinë faqosëse për tekste).

Pas konfliktit të tetorit mes Sabriut e Kadriut rrjeti i spiunëve është mobilizuar për ta dezinformuar Jusufin për sabotazhët që gjoja po ia bënte Kadriu. Sërish shquhen Nuhi Sulejmani, Xhevat Ramabaja dhe të tjerë (më pak të zellshëm). Në atë situatë Sabriu duhet ta ketë urdhëruar Jusufin për ta botuar “Zërin e Kosovës” (si organ të LNÇKVSHJ) dhe ta fillojë anëtarësimin e bashkatdhetarëve në atë organizatë. I boton dy numra, në të parin shkruan për “mashtrimet” që i paskësh bërë Kadriu, pa ia përmendur emrin.

Në dasmën e Kadriut me Saime Jusufin (02.01.1982) ndodh sqarimi mes Jusufit e Kadriut për ta vazhduar bashkëveprimtarinë. Më 16 janar 1982, me ftesë të Jusufit, ndodh takimi në afërsi të Shtutgartit. Pas mesnate, me kërkesë të Jusufit, shkojmë në shtëpi të vëllezërve Gërvalla. Tashmë UDB-a duhet të jetë informuar se bashkimi do të ndodhte, prandaj ka urdhëruar vrasësit të zënë pritë. Dikush nga rreth 15 pjesëmarrës në takim duhet të ketë informuar për shkuarjen tonë te vëllezërit Gërvalla.
Në mëngjesin e 17 janarit 1982 merret vendimi për Bashkim të tri organizatave në Lëvizje.

Vrasja e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit ka ndodhur rreth orës 22.15, më 17 janar 1982. Informatorët e lëvizjeve të fundit fizike, siç u është ngushtuar rrethi, do të identifikohen. Atyre është duke ua sheshuar arsyetimin dorasi i dyshuar Riza Salihu, i cili në televizion dhe gazeta në Kosovë u përpoq t’i diskreditonte Jusufin e Bardhoshin si bashkëpunëtorë të UDB-së, ndërsa Kadriun si viktimë. Çuditërisht pakkush reagoi kundër shpifjeve të tij diskredituese.

Më 17 shkurt 1982 takohen në Turqi Sabri Novosella dhe Avdullah Prapashtica. I pari i shoqëruar nga Xhafer Durmishi, i dyti ndoshta nga Faton Topalli. Avdullahu ishte oficer legal i UDB-së. Si u njohën e kush i kontaktoi nuk kam mundur të informohem. Ata u bashkuan në “Lëvizjen për një Republikë Shqiptare në Jugosllavi”, ose në “Lëvizjen për një Republikë Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”. Në prill u “arratis” nga burgu i Prishtinës Xhafer Shatri. Ai, “në emër” të OMLK-së, më 5 maj 1982 vendosi t’i bashkohej kreaturës së 17 shkurtit. Menjëherë filluan “zënkat” mes këtyre “përfaqësuesve” të “bashkimeve”.

Derisa ata largohen nga Lëvizja, angazhim kryesor në Lëvizje kishim sqarimin dhe pajtimin e atyre “zënkave”. Pas largimit të tyre Lëvizja ia doli të pozicionohet në vendimmarrjen e 17 janarit 1982.
E çfarë synimesh të tjera do të duhej të kishte UDB-a, nëse jo t’i vriste dy udhëheqësit kryesorë, të komplotonte pastaj me “udhëheqës” e “përfaqësues” (që nuk i kishte autorizuar asnjë organizatë a parti) për të bërë “bashkime” dhe t’i impononte organizatës të dalë nga ato “bashkime” që të kishin preokupim kryesor “zënkat” mes tyre, me synim kryesor degjenerimin dhe kontrollimin e organizimit të deriatëhershëm nga UDB-a!?

Të gjithë këta individë kanë rreth të gjerë njerëzish që i admirojnë, prandaj është e dëmshme që tani të ndodhin konfrontime.

Komploti i “Avni Rrustemit” (Musa Hotit) në Bruksel

Më 4 gusht 1981 Musa Hoti, në Bruksel, rreth orës tre të mëngjesit, në një lokal të afirmuar si striptizbar (i quajtur “Whai Horst” / “Kali i bardhë”), vret një “shofer” nga Bosnja (sigurisht kuadër i UDB-së), i punësuar në Ambasadën e Jugosllavisë në Bruksel. Prej aty arratiset dhe strehohet në shtëpi të Rifat Kolgjinit, një si rezidencë e dytë e ambasadorit jugosllav në Bruksel. Në atë moment Musa ishte i shoqëruar me “gërrbën” (një monstrum vërtet gërrban nga Vushtrria, ku i kishte dalë fama e keqe si poreznik dhe informator i UDB-së, por pas komprometimit ishte “arratisur” në Belgjikë). Flitej se zënka mes Musës dhe të vrarit kishte ndodhur për shkaqe private, meqë ata së bashku duhet të kenë shitur pasaporta e dokumente të falsifikuara jugosllave për t’i ndihmuar shqiptarët që “arratiseshin” dhe të kërkonin azil politik në Belgjikë (?).

Kështu më informuan Hysen (Xhelil) Kalishta, i cili pat ardhur në Gjermani, i shoqëruar nga dhëndëri i tij, për të kërkuar angazhimin tim t’i sigurohej Musës një pasaportë shqiptare që të arratisej në Shqipëri. Insistonin të më merrnin me vete, të shkonim menjëherë në Ambasadën Shqiptare në Paris, atje të kërkonim pasaportë për Musën. Sapo dëgjova rrëfimet u përgjigja shkoqur: “E para, nëse do të shkojmë për këtë punë në atë Ambasadë, do të na diskualifikojnë për provokatorë. E dyta, edhe po të pranonin kërkesën tonë, nuk ia vlen të angazhohemi për atë kriminel, akti i të cilit komprometon emigracionin tonë si emigracion kriminal. E treta, Musës nuk i kihet besë, meqë edhe po të pranonte Ambasada t’i lëshonte pasaportë false, ai vetë do të ekspozohej te policia në ndonjë aeroport se po arratisej më ndihmë të diplomatëve shqiptarë, për t’iu akuzuar pastaj shteti shqiptar se po ndihmon kriminelët e Kosovës”.

Por ajo vrasje shpejt u shndërrua nga rrjeti i UDB-së dhe injorantët në heroizëm, në një si atentat politik, i ngjashëm me atentatin e Avni Rrustemit ndaj tradhtarit serbofil Esat Toptani në Paris. Aty e tutje në emigracion Musa quhej “Avni Rrustemi”.

Cili kishte qenë Musa Hoti deri atëherë!? Së fundi, para “arratisjes” në vitin 1978, përflitej si shitës i diplomave të falsifikuara të Shkollës Normale në Mitrovicë. Në fund të marsit 1981, në tubimin e organizuar nga Ambasada Jugosllave në klubin jugosllav “Përparimi”, për t’i dënuar demonstratat në Prishtinë, ky farë “Avni Rrustemi” kishte treguar patriotizmin e tij jugosllav në mënyrë më skandaloze. 

Në atë tubim disa patriotë shqiptarë, me shtetësi turke, kundërshtojnë miratimin e telegramit për t’i dënuar demonstratat. Musa nxjerr revolen, zbraz disa fishekë, duke ulëritur: “Kush guxon me e kundërshtu Jugosllavinë e shokut Tito kam me i dhanë plumb në ballë...”. Shqiptarët që kishin kundërshtuar e lëshojnë mbledhjen. Megjithatë, telegrami dënues në emër të klubit “Përparimi” publikohet në mbrëmje në mediet jugosllave.

Në maj të vitit 1982 ishte paralajmëruar procesi gjyqësor. Vërshonin telegramet e injorantëve për ta kërkuar pafajësinë e Musa Hotit. Edhe Kryesia e Lëvizjes në mbledhjen e parë të saj konstituive, po në maj të 1982-s, me insistim të Xhafer Shatrit, provon ta imponojë vendimin që t’i angazhonte anëtarët dhe simpatizantët e saj të dërgojnë telegrame. Kundërshtova me arsyetim se nuk duhet ta inkriminojmë Lëvizjen. Ndodhi zënkë goxha e rëndë mes meje e Xhaferit. Megjithatë, vendimi nuk u mor, por Xhaferi organizonte dërgim të telegrameve, kurse unë sqaroja anëtarët dhe bashkatdhetarët të mos dërgonin.

Për t’i ikur shërrnajës me Xhafer Shatrin dhe për shkak se me kishte ftuar bashkëveprimtari Gjeto Sinishtaj (nga Rrethi i Tuzit), vendosa të shkoj në SHBA. Nga fundi i qershorit 1982 arrita atje. Në një pritje që organizuan malësorët e Rrethit të Tuzit, në banesë të Ndue Camajt, po më rrëfenin me krenari për aksionin e grumbullimit të ndihmave financiare për Musa Hotin. Pa ndonjë takt, u thash brutalisht: “Ma mirë ato ndihma shkërdheni vetë me kurva këtu sesa t’ia dërgoni vëllait të Musës, Isa Hotit, që t’i harxhojë në bixhoz e kurvëri...”. Plasi debati. Njëri nga të pranishmit nxori një kopje të letrës, të cilën Sabri Novosella ia kishte dërguar në burg Musa Hotit. Ajo përmbante njoftimin se Musa Hoti ishte kooptuar në kryesi të Lëvizjes për shkak të meritës patriotike që kishte vrarë ambasadorin jugosllav. Kopjen e asaj letre në Amerikë e kishte dërguar nga burgu Musa Hoti, duke bërë shënim me dorë poshtë saj që të organizoheshin në celula treshe, ilegale, në kuadër të Lëvizjes. U zura ngushtë. Zura të sqaroj: “E para, Musa Hoti nuk ka varë ambasador, por një shofer ambasade, me të cilin shisnin pasaporta e dokumente jugosllave dhe e ka vrarë në një bordel në ora tre të mëngjesit, ku deri atëherë duhet të kenë pirë bashkë. E dyta, Sabri Novosella nuk ka të drejtë ta kooptojë Musën, sepse në kryesi janë nga dy veta prej tre organizatave të mëparshme dhe unë i shtati, si përfaqësues i Frontit të Kuq Popullor. E treta, Musa Hoti nuk mund të kooptohet në Kryesi, sepse e komprometon Lëvizjen si organizatë kriminale. E katërta, Lëvizja në Perëndim nuk organizohet në celula treshe dhe as ilegalisht, por në këshilla popullore, pa përkufizim të anëtarëve. E pesta, tani Musës i është mundësuar të këmbejë letra me mërgimtarë, t’u japë urdhra për organizim dhe veprimtari dhe të kërkojë prej tyre informacion dhe gjithë atë letërkëmbim e kontrollojnë policia belge dhe jugosllave...”. Përfundimisht, pas debatit të gjatë, u vendos të ndërpritej ai aksion.

Në vitin 1984 Sabri Novosella largohet nga Lëvizja me 4-5 veta, nisi veprimtarinë në Suedi, nxori dy numra të një fletushke po me emrin “Zëri i Kosovës” dhe shumë shpejt pushoi veprimtarinë. Bile një kohë zuri të simulonte një krizë shpirtërore, sa të prezantohej se ishte anëtarësuar në sektin Dëshmitarët e Jehovas. Prapa i shkon edhe Musa Hoti.

Nga gjyqi i shkallës së parë Musa Hoti duhet të jetë dënuar me burg të përjetshëm. Pa u mbush tre vjet burg lirohet. Banesa e tij qe shndërrua në një lloj “meke” për mërgimtarët që shkonin për ta vizituar, uruar e madhëruar. Kishin vendosur të shkonin edhe disa anëtarë të Lëvizjes në Bruksel. Shkova për t’i shoqëruar e sqaruar. Paraprakisht i informova se mund të plaste debati që do të eskalonte në sherrnajë. Hysen Xhelili mori revolen me vete për çdo eventualitet rrezikshmërie. Shkuam shtatë-tetë veta. Në bisedë e sipër iu drejtova Musa Hotit: “Mund të na informosh, me cilin vendim gjyqësor je liruar nga burgu?” Ai u përgjigj: “Me vendim të Gjykatës së Strasburgut”. Ia ktheva: “Po gënjen, Gjykata e Strasburgut nuk shqyrton lëndë të tilla. Urdhëro, dëshmo, jemi këtu, trego vendimin e cilësdo gjykatë që ta lexojmë e të bindemi. Po pate të tillë vendim që të ka liruar nga vuajtja e dënimit, ke gjithë këta burra këtu, unë po e paguaj plumbin dhe më vrisni si dënim për shpifje. Përndryshe ta kesh për turp, sepse ti duhet të jesh liruar me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë, me arsyetim se ka ndodhur vrasje në rrethana afektive në mes kolegësh, se ti u duhesh në liri për ta luftuar krimin e organizuar të nacionalistëve ekstremistë e terroristë shqiptarë!” Ai u nxiros. Disa i folën ta tregonte vendimin dhe të më vrisnin si qen. Pritëm pak qaste nëse po lëvizte. Ai u shpërfytyrua në mumje. Hysen Xheli, si më i moshuar, foli: “Shkojmë burra, se na mbulon marrja po vazhduam të rrimë me këtu!” U ngritën pothuajse të gjithë.

Në një rast, ndoshta pasi kishim varrosur Enver Hadrin, ishim ulur në hollin e hotelit “Sheraton” bashkë me Josef Dio Gardin. Ishte edhe Hysen Gërvalla aty. Musa po priste në këmbë, tre-katër metra larg. Dio Gardi kërkoi falje se duhej të shkonte ta vizitonte Musa Hotin në shtëpi, për ta nderuar për aktin patriotik. E luta të mos shkonte, sepse do të komprometohej, me arsyetim se ai nuk ka bërë akt patriotik, por kriminal. Ai u falënderua, u ul sërish.

Në dy-tre vjetët e fundit të jetës Musa u shpërfytyrua në një pijanec dhe në njeri skajshmërish i dëshpëruar. Natën e vdekjes këmbët nuk e bartnin dot nga pirja, që të shkonte në shtëpi. E dërgon me makinë Sabit Abazi (Zhegër, Gjilan).

I kam përcjell paksa krrokamatë e Reshat Sahitajt për Musa Hotin, për vete, për Enver Hadrin dhe ndonjë tjetër. Uroj të ndërgjegjësohet për të pushuar së prezantuari të mive për elefantë.
Tashmë dihet se Musa është varrosur me ceremoni ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë. Mjerisht, ka kërkesa edhe nga Shoqata e Veteranëve... që presidentja Jahjaga ta shpallë Musa Hotin hero.

Duke pasur parasysh se Musa Hoti ka ithtarë të mashtruar e të spekuluar (eh, fatkeqësisht kemi shumë injorantë të lajthitur), është e dëmshme që tani të ndodhin konfrontime.

Përballja me diversantin e UDB-së Haki Tërpezën

Në prag të nisjes për Nju Jork, në Aeroportin e Brukselit, më rastisi të njihem me një politologe shqiptaro-amerikane. Ajo po kthehej nga Parisi, ku kishte mbaruar studimet postdiplomike, dhe po vazhdonte për në Nju Jork. Gjatë gjithë fluturimit biseduam për emigracionin në SHBA. E njihte mirë edhe për shkak se ishte vajza e redaktorit të gazetës “Dielli”. Vlerësimet e saj ishin më shumë sesa dëshpëruese.

Vizita e parë ishte te kushërinjtë e familjes së Binak (Avdia) Bruçaj. Pleqnari Binak, pas disa orëve, me keqardhje tepër njerëzore më tha: “Jam shumë i gëzuar për ardhjen tane, por më ke zanë ngushtë. Nuk të bëjmë dot konak këtu, sepse do të spiunohemi dhe do ta vuaj Shabani në Prishtinë (djali i Binakut, punonte në administratën e Kuvendit të KSA të Kosovës). Do të gjejmë hotel dhe do ta paguajmë për sa kohë që do të jesh për vizitë. Por, ruaju djali i mixhës, se këtu ka shumë udbash”. Ndërhyri djali i tij më i moshuari, Alia: “Babë, mos e mbaj këtë gajle, do të vendoset te dhëndëri Ahmet Zherka”.

Familja e Ahmet Zherkësh ishte arratisur në Kosovë nga Bytyçi i Tropojës pas LDB. Ahmeti kishte mbaruar shkollën normale në Ferizaj (siç quhej atëherë shkolla e mesme, që kualifikonte mësuesit). Në Nju Jork ishte afirmuar si patriot trim, meqë i kishte ndodhur fatkeqësia që e kishte afirmuar. Ai kishte vrarë punëdhënësin e tij ruso-amerikan. Shkak kishte qenë vizita që i kishte bërë ai Ahmetit në zyrë të punës. Me atë rast punëdhënësi ruso-amerikan ia kishte grisur flamurin kombëtar shqiptar, të cilin Ahmeti e mbante mbi tavolinë të punës. Flamurin e kishte sharë mbi baza nacionaliste e shoviniste. I ofenduar rëndë, Ahmeti e vret. Dënimi kishte qenë i butë për shkak të motivit e rrethanave të vrasjes.
Gjatë ditëve të para ai më informon për emigracionin shqiptar, politik e ekonomik, në SHBA, duke shprehur keqardhje se në përmasa të mëdha dirigjohet e kontrollohet nga UDB-a.

Pas 4-5 ditësh ai me shqetësim më drejtohet: “Mik, me keqardhje të informoj se është përhap fjala që të ka komanduar UDB-a dhe Sigurimi për të spiunuar e përçarë emigracionin këtu. Ndër me aktivët në këtë propagandë është Haki Tërpeza”. E luta të më krijonte mundësinë për ballafaqim me të. Të nesërmen ndodhi ballafaqimi në lokalin e një “bosniaku” nga Plava, i cili shquhej për patriot shqiptar.
Sapo u ulëm në tavolinë me Haki Tërpezën, Ahmeti thotë me ironi: “Ja, ta solla spiunin e UDB-së dhe të Sigurimit, ky është Ibrahim Kelmendi”. Pa u vonuar, i drejtova pyetje nga ishte informuar aq shpejt për shkuarjen time në Amerikë. Ai me krekosje u përgjigj: “Edhe ne kemi njerëzit tanë që na informojnë”. Ndërhyra, duke i thënë se mundësi reale të spiunimit ishin Xhafer Shatri ose Xhafer Durmishi, meqë ata e dinin. Ai u zgërdhi, si fitimtar: “Ju kuçaloshët e Enverit nuk na trembni, unë ia kam q... e do t’ia q... prapë nënën Shqipërisë si diversant trim...”. “I dërguar nga UDB-a”, e ndërpreva unë. “Edhe nga CIA-n”, shtoi ai. “Guxo e përsërite edhe një herë të njëjtën sharje ndaj Shqipërisë”, iu drejtova kërcënueshëm. Ai e përsëriti. Ia vura revolen në ballë: “Kërko falje pleh i UDB-së, se t’i derdha trutë në dysheme!” Zuri të ulërijë përgjërueshëm: “Në dorë tanën e t’Allahut, ma fal jetën...!” Luta një djalë të rritur, që ishte në tavolinën pranë: “Nxjerre zvarrë jashtë këtë ndyrësirë!” Ai mezi kishte pritur dhe e tërhoqi zvarrë deri jashtë. Të tjerët aplauduan. Njëri nga të rinjtë bërtiti: “Ja, të tillë UDB-ash na paskan frikësuar kot deri tani që të mos angazhohemi më shumë për Kosovën”.
Edhe Haki Tërpeza ka ithtarë të tij, të cilët e vlerësojnë atë si “nacionalist”, “çlirimtar”, “demokrat”, prandaj nuk kemi ndonjë dobi nga konfrontimet.

Hysen Tërpeza, alias “Bruklini”

Pas dy-tre javësh të qëndrimit në Nju Jork kushëriri Ali (Binak) Bruçaj më lut ta takoj një mik të tij. Ai ishte Ismet Berisha, pinjoll i familjes së luftëtarit e pleqnarit Sadik Rama i Gjurgjevikut (rrethi i Rahovecit). Takimi ndodhi në shtëpi të familjes Bruçaj. Pas njohjes Ismeti më luti ta ndihmoja për ta përgatitur fjalimin për kongres që do të mbante Lidhja e Dytë e Prizrenit. Informoi se konkurrent për t’u zgjedhur kryetar e kishte Hysen Tërpezën, për të cilin shprehi dyshimin se ishte njeri i UDB-së. Bile më ofroi një kostum të ri si honorar.

Për prapësi të shumta të Hysen Tërpezës më kishin informuar gjerë e gjatë Gjelë e Hysen Kalishti, meqë bashkë kishin qëndruar gjatë kohë në kampe të refugjatëve në Greqi. Ata ofronin një mori argumentesh për angazhimin e tij për UDB-në, e cila nuk e kishte të vështirë t’i shantazhonte individë të tillë për t’i përvetësuar si bashkëpunëtorë. Mjaftonte t’u përgatiste dosje me akuzë se kanë qenë kolaboracionist kriminelë të nazifashizmit, që të ekstradoheshin në Jugosllavi për t’u gjykuar. Për këto nuk i fola fare Ismet Berishës.

Në vitin 2004 bisedova me Shefqet Hashanin, meqë kishim caktuar takim për të bërë intervistë. Fillimisht u përcaktova të bëjmë bashkëbisedim pa ia treguar magnetofonin (digjital). Po incizoja fshehurazi. Në bisedë e sipër ai tha se e kishte habitur Mustafë Xhemaili (Komogllavë, Ferizaj) që kishte shkruar monografi voluminoze afirmative për Haki Tërpezën, duke e prezantuar si patriot të shquar. Ai rrëfeu: “Duke qenë drejtor i drejtorisë së 5-të të UDB-së së KSA të Kosovës, e cila mbikëqyrte emigracionin, isha për disa muaj në Amerikë. Atje rirekrutova Hysen Tërpezën dhe ia vura nofkën ‘Bruklin’. I dhashë për detyrë të më informonte për veprimtari të emigracionit dhe të nxiste përçarje e huti. Duke më ardhur keq për të, organizova një takim të tij me gruan e djalin, të cilët nuk i kishte parë nga LDB-ja. Rezervova për ta hotel në Stamboll, ia rezervova Hysenit biletën Nju Jork - Stamboll. Për t’u dukur udhëtim familjar i gruas dhe djalit të tij nga Kosova, mora një mik timin, arsimtar në Ferizaj, i cili duhej të na shoqëronte me makinë të tij, duke pasur gruan e tij me vete dhe gruan e djalin e Hysenit. Kurse unë dhe gruaja ime i përcillnim me makinën time. Ndenjëm në Stamboll një javë. Verave të tjera Hysenit ia paguaja biletën që të vinte në Kosovë, në vilat e UDB-së në Brezovicë të rrinte me gruan e djalin, sepse në Stamboll na kushtonte shtrenjtë” (perifrazim i lirë).
Sigurisht, edhe Hysen T`rpeza ka shumë ithtarë që e çmojnë lart për “patriot të shquar nacionalist”, prandaj nuk ia vlen të kemi tani konfrontime.

Kongresi i VATRËS...

Në korrik të 1982-s nëpërmjet adresës së bashkëveprimtarit Gjergj Kalaj (rrethi i Tuzit) më vjen letër nga Xhafer Shatri. Njoftohem se duhet të marr pjesë në kongresin e Vatrës, si mysafir, ku duhej të përshëndesja në emër të Lëvizjes. Xhaferi ma kishte dërguar edhe tekstin e fjalës përshëndetëse. Marrë me vete katër malësorë (të rrethit të Tuzit). Kur u hap kongresi më prezantuan. Sapo zu të zgjidhej kryesia e punës, filluan me fjalime vetëlavdëruese ata që donin të imponoheshin për të qenë anëtarë të kryesisë. Ishin kryesisht kuadro të legalitetit, të cilët garonin mes tyre, kush i kishte lidhjet më të ngushta e më të freskëta me Beogradin. Pasi përfundoi zgjedhja e kryesisë me thirrën ta përshëndesja kongresin. Shkova në foltore, nxora nga xhepi tekstin e fjalës, ua tregova të pranishëmve dhe iu drejtova: “Këtu kam tekstin e fjalës përshëndetëse, por nuk do ta paraqes, sepse ndihem i turpëruar që ndodhem në këtë, i thënçin kongres. Me vjen keq shumë për Vatrën e Nolit dhe të Konicës që paska rënë në duar të UDB-ashëve. Ta keni për turp këtë tradhti!”

Zbrita nga podiumi në drejtim për të dal jashtë. Bashkëveprimtarët u ngritën gjithashtu. Mbi gjysma e të pranishëmve, vatranë të vjetër, duke aplauduar, lëshuan kongresin. Kongresi u prish.
Ditët në vijim u përfola goxha shumë. Ca shpifnin se më kishte dërguar Sigurimi, ca UDB-a për ta përçarë Vatrën. Në mbrëmje më telefonoi Xhaferi, duke më kritikuar e kërcënuar për atë skandal.
Edhe ata individë kanë përplot ithtarë, prandaj nuk ia vlen të kemi tani konfrontime.

Skandal primitiv në Ambasadën Shqiptare pranë OKB-së

Ndërkohë kushëriri Qerim (Binak) Bruçaj më lut t’i bëjmë një vizitë Ambasadës Shqiptare në Nju Jork pasi, siç më tha, ia kishte shprehur hidhërimin ambasadori Abdi Baleta, përse nuk isha shkuar deri atëherë.

Shkuam. Abdiu na ofroi një pritje të përzemërt. Në bisedë e sipër hynë një sigurims i shpifur. E njoha. Me të kisha pasur një zënkë të ashpër në Ambasadën Shqiptare në Vjenë në fillim të prillit 1981. Ai hyri në një dhomë tjetër. Pas pak nxori kokën: “Shoku ambasador, keni një telefonatë”. Ambasadori kërkoi falje, duke thënë se do të kthehej sapo ta përfundonte telefonatën. U vonua ca. Kur u kthye, na u drejtua: “Duhet t’i lironi ambientet e ambasadës, nuk kam qenë i informuar se ti (duke m’u drejtuar mua) je një anarkist i papërmirësueshëm...!” “E di çka, ndërhyra unë, kjo Ambasadë nuk është shtëpi private as e Juaja dhe as e atij sigurimsi të shpifur, prandaj ne nuk dalim!” Abdia, i habitur, u largua në zyrë tjetër, unë e Qerimi ngelëm aty. Qerimi po më luste të dilnim. Për inate ndejmë goxha një copë herë.

Edhe këta individë kanë ithtarë të tyre, prandaj nuk ia vlen të kemi tani konfrontime.

Takimi ekcesiv me UDB-ashin Zef Camaj

Po në korrik 1982 bashkëveprimtari Nue Camaj më lut t’i bënim një vizitë kushëririt të tij, Zef Camaj. Arsyetimi i tij ishte që atë sapo e kishte dërguar UDB-a e Malit të Zi për t’i përçarë malësorët. Këmbëngulte ta vizitonim bashkë, ta bindnim të dezertonte, përndryshe, përbetohej, do të detyrohej ta vriste, sepse po turpëronte fisin e Dedë Gjo Lulit. Pranova. Ai mori revolen me vete.

Zefi dhe e shoqja na mirëpriten bujarisht. Nua ia paraqiti Zefit arsyen e vizitës sonë. Në bisedë e sipër shpërtheu gruaja e Zefit, një copë injoranteje: “Po ti kunati Nue, ç’t’keqe ke prej UDB-së. Për Zotin, ma ka nxjerr biletën e aeroplanit, më ka marrë me makinë në Tuz vetë kryeshefi i UDB-së së Titogradit dhe bashkë kemi udhëtuar deri në Beograd. Më ka përcjell bile deri në derë të avionit...”. Ndërhyri Nua: “Po, kunatë, po, he mozomakeq për ne, por ama sa herë të ka q... gjatë rruge?!” Pastaj iu drejtua Zefit: “E sheh, nuk e fsheh dot...”. Zefi ulëriti: “Po më prek në moral familjar!” Nua nxori revolen, ia drejtoi duke i thënë: “Po çfarë morali ka shqiptari që bëhet argat i shkjaut, he...”. I kërceva në dorë, ia mora revolen, u larguam që aty tepër të mllefosur, duke u betuar Nua se do ta vriste. I fola shumë, se vrasje nuk duhet të na ndodhnin në emigracion.

Të njëjtin Zef Camaj e takova në janar të vitit 1991 në Tiranë. Ai përditë e frekuentonte hotelin “Dajti”. Shpesh e kalonin kohën aty me Preç Zogajn. Një ditë nuk u përmbajta, u ula në tavolinë të tyre, meqë për Preçin kisha respekt: “Preç, - iu drejtova, - sot e tutje ta kesh të ditur, nuk po rri me Zef Camen si patriot i Malësisë së Madhe, por me Zef Camën si kuadër madhor i UDB-së”.

Po këtë Zefë Camajn më rastisi ta shoh në takim me kryeshefin operativ të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Bujar Hoxha, në fund të dhjetorit 1996. Vetëm ata dy ishin ulur në një kthinë të thellë të restorantit përballë hotel “Dajtit”. Zefin e njihja, bashkëbiseduesin jo. E pyeta kamerierin. Më tregoi. Ikim që aty pa ngrënë, meqë po mendonim se do të më shihte Zefi dhe do të hakmerrej. Isha shkuar atje më vëllanë tim, Dautin, për ta vizituar e ndihmuar në shërim vëllanë Qerim, i cili ishte plagosur gjatë sulmit të Stacionit të Policisë në fshatin Çollapek (Pejë).

Edhe Zef Camaj duhet të ketë ithtarë që e admirojnë, prandaj nuk na duhen tani konfrontime.

Shërrnaja skandaloze me Molla Isuf Azemin

Në shtator 1982 isha për vizitë disaditore te familja e Kolë Gojçit (rrethi i Tuzit), që jetonte në afërsi të Detroidit. Një fundjavë vendosëm t’i vizitonim bashkatdhetarët në rrethinë të Chikagos. Kola bëri bisedë telefonike me Mentor Lleshin (Dibra e Madhe) dhe po na mirëpritnin. Udhëtuam me makinë. Arritëm rreth orës 15.00 te Mentori. Aty gjetëm 7-8 bashkatdhetarë. Më vonë u bënë më shumë.

Vazhduam me biseda e gosti deri pas mesnate. Të nesërmen Mentori e Agim Gashi (nga Prishtina) organizuan një tubim informativ për Kosovën, ku duhej të flisja unë si mysafir. Ishte rezervuar një restorant me sallë të madhe, pronë e një Zajazliu (rrethi i Kërçovës, po më vjen keq që nuk më kujtohet emri i tij).

Në tubim ishte i ftuar edhe Molla Isuf Azemi (i rrethit të Tetovës), kryetar i Lidhjes Kosovare. Bashkatdhetarët ishin tubuar, por prisnim të vinte hoxhë Isufi. Ai po vonohej. Ndërkohë njëri nga të pranishmit i telefonoi. Hapi parlofonin që të dëgjohej biseda e hoxhës. Në pyetjen pse vonohej, hoxha iu përgjigj: “Nuk vij në atë tubim ku do të flasë UDB-ashi Ibrahim Kelmendi, i cili ka marrë direktiva të na përçajë”. Në pyetjen, nga e dinte se unë isha UDB-ash, hoxha u përgjigj: “Në kuran ju baj be se mramë, kur i ra terri tokës, e kam pa Ibrahim Kelmendin tu hy në ambasadën jugosllave këtu në Chikago”. U krijua situatë hutie, fare pa shije. Agim Gashi mori fjalën: “Burra, unë, Mentori, Kolë Gojçi dhe tetë-nëntë burra të tjerë jemi dëshmitarë se mbrëmë Ibrahim Kelmendi nuk ka dalë fare nga shtëpia e Mentorit. Ai dhe Kola kanë ardhur rreth orës tre pasmesdite dhe kemi biseduar deri pas mesnate. Të vijnë dy veta me mua dhe po shkojmë ta marrim hoxhën”.

Pas rreth një ore u kthyen pa hoxhën. Rrëfyen bisedën që kishin pasur me hoxhën. Skandaloze dhe eksesive.

“Bashkatdhetarë të nderuar e të respektuar, - mora fjalën unë, - ju lutem të mos shqetësoheni. Edhe hoxha është viktimë e fatkeqësisë sonë kombëtare, meqë na kanë mundur e pushtuar në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Aty e tutje UDB-a ka pasur shanset të shantazhojë edhe ata që janë arratisur, sepse në Marrëveshje të Aleatëve edhe Jugosllavia është njohur bashkëfitimtare. Asaj i është njohur e drejta për t’i identifikuar e ndjekur ‘kriminelët e luftës’ në të gjitha shtetet e Aleatëve, siç i kanë quajtur kolaboracionistët e nazi-fashizmit. Prandaj që nga Xhafer Deva e deri te hoxha këtu ajo i ka shantazhuar, duke i kërcënuar se po nuk u bënë kuislingë të UDB-së, do të ekstradohen e dënohen në Jugosllavi. Kjo është fatkeqësi jonë kombëtare dhe na duhet ta tejkalojmë me urti e mençuri, nuk kemi përfitime nga shpifjet, konfrontimet mes nesh. Do të vij koha kur ata vetë do të pendohen dhe do të reflektojnë. Në këtë gjendje duhet të bashkohemi sa më shumë, pavarësisht bindjeve ideologjike, përkatësive partiake, fetare e krahinore, për Kosovën Republikë. Sigurisht, duhet të ndodhin angazhime të organizuara larg kontrollit të personave që kanë sajuar organizime e i udhëheqin ato përjetësisht, pa lejuar asnjë normë demokraci të brendshme”.

Tubimi kaloi mirë. Fatkeqësisht pas një kohe e kanë vrarë Agim Gashin.

Molla Isuf Azemi, kuislingu nazifashist Xhafer Deva dhe të tjerë, dhe njerëzit që u shkonin prapa, kanë ithtarë që ende i çmojnë, prandaj konfrontimet tani janë të dëmshme, na harxhojnë energji që na duhet për të tanishmen dhe të ardhmen. Rrjedhat që kanë ndodhur në të kaluarën nuk riparohen dot.

Manifestimi i 28 nëntorit i shoqëruar me krime

Anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes u mobilizuan të organizojnë manifestim të madh, me moto Kosova Republikë. Zunë një sallë të madhe me 900 ulëse në periferi të Nju Jorkut. Shoqëritë folklorike të malësorëve nga Mali i Zi u mobilizuan të shfaqnin spektakël. Gjithandej përhapej fantazma kërcënuese nga kasnecët jeniçerë të UDB-së. Bashkatdhetarët tashmë nuk i merrnin për serioze kërcënimet, sepse disa krerëve të emigracionit politik kishin zënë t’u binin puplat.

UDB-ashi Osman Gashi (nga Ramuni i Pejës), i kamufluar si diplomat, nëse e kam mbajtur mend nëpërmjet Shaqir Gashit (në restorantin e të cilit kalonte shumë kohë), kishte pyetur nëse mund të merrte pjesë në manifestim. Disa bashkëveprimtarë ishin kundër. I bindëm se jo vetëm që mund të merrte pjesë por, po guxoj, edhe mund ta përshëndeste manifestimin dhe, pse jo, ta shpallte aty dezertimin nga UDB-a. Përndryshe, përse të mos informonte ai saktësisht për manifestimin, si një profesionist, por të keqinformonin spiunët injorantë?!

Kujdestarët ishin porosit, nëse do ta shihnin korrespondentin e “Rilindjes”, Avni Spahiun, të më informonin. Ndërkohë mora vesh se po rrinte në holl të sallës. Dola ta takoj. Kishim njohje e miqësi nga koha e studimeve në Prishtinë. U skajuam. E luta të dezertonte, duke i thënë se nuk ishte vetëm korrespondent i “Rilindjes”, por edhe informator i UDB-së, ashtu si kolegu i tij në Gjermani, Jusuf Buxhovi. Lutjen time e arsyetova me nevojën që kishim për kuadër intelektual. Ma ktheu: “Si nuk po mbush mend, më i dobishëm për Kosovën jam si korrespodent...”. Shkurt, i bie që biseduam për të mos gjetur mirëkuptim, por nuk u armiqësuam.

Kur dolëm nga manifestimi, që po vlerësohej si tejet i suksesshëm dhe po u qeshnin fytyrat pjesëmarrësve, u përballem me krim të organizuar: Rreth 35 automjete ishin demoluar rëndë nga kriminelët. Kujdestarët u qortuan pse nuk i kishin ruajtur gjithë kohën, por u arsyetuan se donin të merrnin pjesë sadopak në manifestim.

Avni Spahiu, Osman Gashi, bile edhe ata kriminelë ordinerë kanë ithtarë, prandaj nuk ia vlen tani të kemi konfrontime.

Më 10 dhjetor vendosa të kthehem në Bruksel. Një oficer madhor i FBI-së, shqiptaro-amerikan, kishte informuar, më duket Gjergj Kalën, se do të kem probleme kur ta lëshoj Amerikën, sepse ishin deponuar shumë spiunime, se kam shkuar atje për ti propaganduar komunizmin, enverizmin, se më kishin dërguar shërbimet jugosllave e shqiptare për ta përçarë emigracionin. Gjergj Kala e kishte sqaruar, meqë kishin farefisni: “Ai edhe ne enveristëve na ka këshilluar të mos e përmendim Enverin, por të mobilizohemi vetëm për kërkesën Kosova Republikë, jashtë çdo politizimi e ideologjizimi”. I njëjti më shoqëroi në dalje dhe nuk më ndodhi ndonjë pengesë.

Enver Hadri, spiun i UDB-së dhe Sigurimit, në dukje i mjerë e fatkeq

Arsyet përse është arratisur Enver Hadri në Shqipëri dhe përse Sigurimi i atjeshëm e ka kthyer mbrapa, ende nuk janë ndriçuar, pasi nuk kemi njerëz me vullnet të mirë dhe studioz që ndriçojnë edhe “personalitete” kontroverse. Pastaj nuk dimë ende çfarë ka ndodhur kur ato organe ua kanë dorëzuar Enver Hadrin ushtarëve kufitarë të Jugosllavisë dhe çfarë qëndrimesh ka mbajtur UDB-a në Pejë për atë arratisje të tij, siç nuk dimë për biografinë e tij të pastajmë, derisa është “arratisur” në Belgjikë (në vitin 1974). Kishim (dez)informime se ka mbaruar shkollim profesional të UDB-së diku në ujdhesë bregdetare kroate, nuk kishte mbaruar studimet e arkitekturës në Beograd (siç na thoshte).

Bazuar në angazhimet e tij në Belgjikë dhe informatat e mbledhura nga bashkatdhetarët, na ka rezultuar se ai ka qenë spiun i dyfishtë: i Sigurimit shqiptar dhe UDB-së jugosllave. Sigurimin duhej ta informonte, mos ndokush po përgatiste sulme kundër përfaqësive diplomatike shqiptare, kurse për UDB-në, siç rezulton nga veprimtaria publike, të krijonte “prova”, ta zëmë se kundërrevolucionarët shqiptarë po përkrahen nga KGB-ja sovjetike (siç na e tha këto ditë Jusuf Buxhovi) etj.

Veprimtaria e tij e dukshme (e shkruar) është aq e mjerë dhe diletante sa të vjen keq për gjithë ata të painformuar që ia madhërojnë kot së koti. Nga veprimtaria e tij publicistike mund të flitet për gjithsej 7-8 shkrime të botuara në broshurën me titull “Zëri i Kosovës” (shumëzuar me fotokopjues, format A4, rreth 30 faqe, në dhjetëra ekzemplarë). Ato shkrime kanë nivel të atillë, sa nxënësi i klasës së parë të shkollës së mesme po ta shkruante, mund që mësuesi do ta notonte, e shumta me dysh. Përmbajtja e tyre është stereotip i shkrimeve të emigracionit të vjetër politik, që kritikonin vetëm diktaturën në Shqipëri, por nuk brengoseshin për pozitë pushtuese të Kosovës. I duhej ta mashtronte emigracionin politik shqiptar në Belgjikë, se ishte anti-komunist ekstrem. Në “organizatë” të tij (quhej më duket Rezistenca Shqiptare) e kishte vetëm një anëtar. E ai ishte Riza Budakova, një ish-zadrugar (shitës), i cili, për shkak se kishte vjedhur shitoren ku ishte punësuar, ishte “arratisur” në Bruksel. Ishte një analfabet i shkret, dukej sikur ishte korrieri ose truproja e Enverit. Edhe për këtë të shkret me patën (dez)informuar se ishte informator i UDB-së në Ferizaj(?).

Më 4 ose 5 prill 1981 Enveri jep intervistë në Bruksel, ku thotë se Kosova do të bëhet Republikë me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Më 6 prill 1981 Stane Dollanci mban konferencën e parë për shtyp për trazirat në Kosovë. Mes të tjerash, ai shpif se në organizim të kundërrevolucionit në Kosovë ka gisht edhe KGB-ja sovjetike. Kur një gazetar i huaj e pyet nëse ka argumente, Dollanci ia kthen: “Shihni çfarë ka thënë nacionalisti shqiptar Enver Hadri, i cili jeton në Bruksel...”. Ishte kjo koincidencë rastësore?! Pastaj, qe shpifur dhe shpifet, se kishte gisht KGB-ja në “kundërrevulicionin” e Kosovës.
Në demonstratën që kemi organizuar më 13 qershor 1981, prania e Enver Hadrit është toleruar, me kusht që ta ruajnë dy kujdestarë që të mos fliste para kamerave televizive belge, kurse Hasan Kadria (nga Presheva) është caktuar të japë shpjegime e intervista, meqë e zotëronte bukur gjuhën frënge.

Xhafer Shatri e angazhon Enver Hadrin në vitin 1983 për ta formuar Komitetin për mbrojtje të të drejtave të njeriut, por ai komitet nuk ka mundur të formojë asnjëherë ekip as prej 3 vetave dhe nuk ka bërë ndonjë punë serioze. Enver Hadri ka luajtur rolin, të them, të korrierit, për t’i shpërndarë në kutitë e parlamentarëve evropianë materialet që i përgatiste Lëvizja, meqë kishte një dashnore gjermane që ishte aty e punësuar.

Në vitin 1984 kryesia e Lëvizjes vendos të organizojë demonstratë në Bruksel dhe për ta paraqitur demonstratën u vendos të ngarkohej Këshilli i Lëvizjes në Bruksel. Kur ata shkojnë në polici, informohen se leja është dhënë, meqë e kishte kërkuar Enver Hadri në emër të një belgu. Shpejt informohemi se Xhafer Shatri i kishte dërguar letër Enver Hadrit dhe e kishte ngarkuar për ta lajmëruar demonstratën e Lëvizjes (pa qenë anëtar i Lëvizjes), edhe pse ndryshe ishte vendosur në Kryesi. Atë komplot e minimizuam si gabim teknik.

Natën e fundit para mbajtjes së demonstratës takohemi me Enverin në banesë të Reshat Sahitajt, për të biseduar për finalizimin e organizimit të demonstratës. Aty konstatojmë në mënyrë skandaloze, se leja për demonstratë ishte lëshuar në emër të një udhëheqësi të Partisë Komuniste Belge (pro Bashkimit Sovjetik), por Enver Hadri po përpiqej të na mashtronte me kopje të lejes së falsifikuar, ku në vend të komunistit belg ishte montuar emri i Enver Hadrit. Biseda u tensionua, meqë ishim kundër që demonstrata e Lëvizjes të identifikohej zyrtarisht me personin që i ishte lëshuar leja. Mundësia për ta anuluar demonstratën nuk ekzistonte, sepse tashmë autobusët me pjesëmarrës të demonstratës ishin nisur nga largësitë e mëdha. Sigurisht, u bindëm se Enver Hadri po na komplotonte ta implikonte Lëvizjen si pro sovjetike, edhe pse në broshurat e tij mjerane prezantohej si anti komunist.

Sapo u miratua rezoluta e parë nga Parlamentit Evropian, Enver Hadri, me të dëgjuar lajmet nga mediet elektronike, zë të gënjejë në mënyrën më skandaloze, se miratimi i saj ishte meritë e tij, për çka kishte harxhuar shumë mjete financiare. Nis aksionin për të mbledhë ndihma për t’i “kompensuar” shpenzimet e tij, shtyp e shpërndan formularë që bashkatdhetarët të binden e ta kenë më lehtë për t’ia bartur ndihmat nëpërmjet banke. Më pyesin bashkëveprimtarët e Lëvizjes nëse do të duhej ta ndihmonin. Skandalizohem. Shkoj në Bruksel, mblidhet Kryesia e Lëvizjes për Belgjikë, thërrasim Enver Hadrin të ishte i pranishëm.

“Përse gënjen kaq paturpësisht, - i drejtohem Enver Hadrit në atë takim, - ti ke dëgjuar nga mediet, si gjithë të tjerët, për miratim të rezolutës, përpara nuk ke ditur gjë. Merita fillestare i takon një vajze të zellshme, veprimtare në Gjermani, e cila ka gjetur lidhjet për të bindur një parlamentar gjerman të Parlamentit Evropian, që i takonte fraksionit të partive ekologjike. Atë vajzë e njohin shumica e shokëve të pranishëm. Atij parlamentari (emrin ia paskam harruar) i është dorëzuar një tekst. Ka premtuar se do të angazhohet ta bindë fraksionin e tij, pastaj fraksionet e tjera, duke shpjeguar se ai angazhim merr kohë të gjatë. Kjo është ecuria e miratimit të Rezolutës. Në këtë pozitë kaq të mjerë ke rënë, sa t’i mashtrosh bashkatdhetarët për të mbledhë ndihma që t’u dashkan për të financuar aventura e degjenerimin tënd!? A nuk je i vetëdijshëm se mund t’i nxisësh bandat e çetnikëve serbë në Bruksel ose doras të UDB-së, që të vrasin, nëse do të dëgjojnë se ti ia ke imponuar PE të miratohet Rezoluta për Kosovën. Këtu e tutje mos shpreso e kërko asnjë përkrahje e ndihmë nga Lëvizja...!”

Ai mori pozë të zuzarit, të kapur në flagrancë, filloi të bënë autokritikë e të kërkonte falje. E përzumë nga takimi.

Disa javë më vonë, më 25 shkurt 1990, vritet.

Megjithatë, masivizimin e pjesëmarrjes në varrimin e tij e organizoi Lëvizja, meqë donim ta shfrytëzonim vrasjen e tij për ta akuzuar Beogradin si vrasës të kundërshtarëve politikë.

Në tubimin komomerativ që u mbajt pas varrimit, sa mbaj mend në hotelin “Sheraton”, disa mjeranë që donin të afirmoheshin si bashkëveprimtarë të “dëshmorit” Enver Hadri, folën gjepura nga më të gënjeshtërta. Më lajmëruan mua të flisja në emër të Lëvizjes. Nuk e kisha ndërmend. Gjithë të pranishmit po prisnin, unë nuk po ngitesha nga vendi. Bashkëveprimtarët që i kisha ulur pranë m’u lutën të dilja. Dola, i thashë ca llafe të përçarta, por besoj se audienca e kuptoj se nuk isha pjesëtar i atij kori të gënjeshtarëve, që lavdëronin Enver Hadrin pa meritueshëm, përkundrazi.

Siç informova më herët, në vitin 2003 kam bërë një bashkëbisedim të gjatë me njërin nga ish-shefat e UDB-së, Shefqet Hashanin. Fare spontanisht më ka rrëfyer se pasi Kosova fitoi autonominë kushtetuese në vitin 1974, përkatësisht u riorganizua edhe UDB-a në KSA të Kosovës, duke dalë nga komandimi i deriatëhershëm i UDB-së republikane të Serbisë. Me atë rast duhet të ketë pasur një konflikt, kush duhej t’ia paguante rrogën Enver Hadrit. Udhëheqja e UDB-së së Kosovës ka kërkuar ndihmë nga kryetari i Komitetit Krahinor të LKK-së, Mahmut Bakalli, i cili ia ka arritur që atë pagë aty e tutje t’ia shkarkonte UDB-së federative. Këtë ma ka konfirmuar edhe Mahmut Bakalli.

Sigurisht, kjo paraqitje provokon e shokon, sepse turma e painformuar është mashtruar ta vlerësoj Enver Hadrin për hero. Sidoqoftë, Enver Hadri ende ka shumë ithtarë që e madhërojnë, ka përmendore, emra rrugësh e shkollash, prandaj nuk ia vlen të kemi konfrontime në këtë kohë, të pakohë, siç shprehet populli.

Unë ndjej keqardhje për atë viktimë mjerane, siç kam keqardhje për turma të injorantëve, që nga më pak se hiçi, ose nga kundërkombëtarët sajojnë heronj.

Hafiz Gagica, prototip tipik i organizimit “pacifist”

Hafiz Gagica është një nga prototipat më tipik të organizimit “pacifist”, “demokratik”, “legal”, në emigracion. Ai u emërua si kryetar i Degës së LDK-së nga Akademiku “Crni” më 6 maj 1990 dhe atë post e mbajti katër mandate, bile ishte edhe kryetar i kolegjit të kryetarëve të të gjitha degëve të LDK-së në gjithë emigracionin shqiptar. Për ata që nuk e dinë, akademiku “Crni” është prof. dr. Ali Aliu (që merr rrogë nga tre akademi), i cili duhet të jetë rekrutuar përdhunshëm nga UDB-a për t’u bërë dëshmitar në procesin gjyqësor kundër Adem Demaçit në vitin 1963 (shih librin “Dosja Demaçi”, autor prof. dr. Hakif Bajrami).

E njihte “Crni” Hafiz Gagicën përpara, apo ashtu e kishin urdhëruar!?

“Unë e themelova LDK-në”, tha para ca ditëve Jusuf Buxhovi. Deri tani askush nuk e demantoi dhe nuk e përmirësoi konstatimin e tij rrahagjoks. Meqë rezulton se JB ishte njeri i UDB-së, atëherë duket i logjikshëm konstatimi se UDB-a e ka formuar LDK-në. Dihet mirëfilli se pjesëtarët e shërbimeve sekrete nuk marrin vendime që bien në kundërshtim me përcaktimet e shërbimit punëdhënës. Por, gjatë debateve që pasuan, mbase u dëshmua se ai vërtet ishte pjesëtar profesional i atij shërbimi, si me paraqitjet që bëri vetë, si me dëshminë e Hysen Gegës, por akoma më flagrant është informimi i Shefqet Hashanit (ish-shef i UDB-së së Kosovës dhe sekretar i parë i Ambasadës jugosllave në Gjermaninë P. gjatë viteve 1978-1981), i cili pohon se Jusuf Buxhovi ka marrë pjesë aktive gjatë procesit hetimor kundër tij në Beograd; Z. Hashani është dënuar në Beograd me tetë vjet burgim në vitin 1981.
Cili është në të vërtetë Hafiz Gagica, meqë ai pretendon se ishte i përndjekur politik i regjimit të Beogradit (gjatë viteve 1980-1999)?

Në vitin 1979 ai erdhi në Gjermani, te babai i vet. Meqë ai jetonte në Ludwigsburg, ku ishte i angazhuar profesionalisht, si punëtor social, Bardhosh Gërvalla, u njohën mes tyre. Bardhoshi ishte përkujdesur shumë për babën e Hafizit, meqë në ato vite lëngonte nga sëmundja. Vetë babai i Hafizit e kishte lutur Bardhoshin të përkujdesej për djalin e tij. Edhe vetë e kam dëgjuar atë të ankohej se e kishte lazdruar djalin duke i dërguar para me tepri në vendlindje, prandaj nuk është interesuar të mësonte fare në shkollë. Me para i është dashur t’i blinte notat që të mos përsëriste klasën. Por të kota rezultuan përpjekjet e Bardhoshit dhe të Jusufit që ta edukonin Hafizin në rrugë të mbarë, të arsimohej në Gjermani. Ai as pas dhjetë vjetësh nuk u bë në gjendje të formulonte pa gabime një fjali të shkurt në gjuhën gjermane.

Meqë u gjend në atë mes, megjithatë asnjëherë nuk ishte konstruktiv, të paktën në sjellje dhe moralshëm. Pas vrasjes së Jusufit, Kadriut e Badhoshit ai u bë pjesëtar i bandës komplotistë, që komandohej nga Sabri Novosella. Në vitin 1985, kur Sabri Novosella dhe banda e tij pushoi veprimtarinë e dukshme, edhe Hafiz Gagica u bë i padukshëm. Tek më 6 maj 1990, kur Akademiku “Crni” e emëroi kryetar të Degës së LDK-së në Gjermani, ai u faktorizua, për të qenë në krye të pengesës së lëvizjes aktive patriotike e çlirimtare në emigracion.

Siç më ka (dez)informuar shërbimi inteligjent “populli”, demonstratën e parë që e thirri Hafizi në Stuttgart, për publikun shqiptar ishte në emër të LDK-së, zyrtarisht u bë në emër të një grupimi të mbetur dogmatik gjerman, i cili përpara kishte qenë pjesë e Partisë Komuniste të Gjermanisë Marksiste-Leniniste, sepse ai grup e kishte paraqitur në polici kërkesën për ta marrë lejen.

Në kthesën e madhe të organizimit “legal” pluralist (1990), edhe në emigracion shpërthyen entuziazmi dhe zallamahia. Edhe mua më përfshinë, prandaj u angazhova t’i shtyp Programin e Statutin dhe formularin për anëtarësim të LDK-së dhe i shpërndamë në demonstratë që organizoi Lëvizja në mars të vitit 1990 në kryeqytetin e Gjermanisë. Kështu doja që ata emigrantë, të cilët frikësoheshin të angazhohen në Lëvizje nga përndjekjet serbe, të paktën të angazhohen në LDK.

Të gjitha subjektet e organizuara në vitin 1991 vendosën të ndërmerrnin një aksion të ngutshëm, i cili qe quajtur “ndihmë Kosovës me një armë” (e çmimi orientues i armës u caktua 1 000 DM / 500 euro). Duhet të jenë mbledh shpejt e shpejt rreth 40 milionë DM. Ato u derdhën në xhirollogari e “fondit humanitar” në Aachen, të cilin e “menaxhonin” Marjan Tuna dhe Hafiz Gagica. Pos atyre dyve, nuk di një të 3-të që di se ku kanë përfunduar ato mjete (ndoshta di pjesërisht edhe Anton Kola).

Pas atij aksioni u themelua “Fondi i 3-përqindëshit”, të cilin e menaxhonte “qeveria në ekzil”. 

Fillimisht u formua në marrëveshje me LPK-në, por meqë Bukoshi dhe stafi i tij rezultuan mashtrues, LPK u detyrua të tërhiqej nga marrëveshja. Edhe në xhirollogarinë e atij fondi kishte autorizim për të tërhequr mjete financiare Hafizi derisa, për arsyet që nuk i di, atë autorizim ia anuluan Bujar Bukoshi e Isa Mustafa.

I tepërt është informimi i takimeve në Stuttgart të Hafiz Gagicës në krye me UDB-ashin Selim Broshaj, sepse tashmë pothuajse të gjithë UDB-ashët ishin rreshtuar në LDK.

Ndoshta njëjtë, si dega në Gjermani, vepruan edhe degët e tjera të LDK-së në shtete të tjera.
Të gjithë individët që u përmendën këtu, në dukje të përndjekur nga regjimi neofashist serb, kanë ithtarë, prandaj konfrontimet janë të dëmshme në këtë kohë.

“Qeveria Bukoshi në ekzil”, sabotuese e veprimtarisë patriotike e çlirimtare në emigracion

Rëndom po zhurmohet shumë për t’i identifikuar UDB-ashët, oficerët, bashkëpunëtorët, informatorët e ish-UDB-së famëkeqe, por sikur qëllimisht po harrohet fakti se udhëheqësit kryesorë të UDB-së në Kosovë ishin funksionarët e Lidhjes Komuniste të Kosovës, sidomos anëtarët e Komitetit Krahinor të LKK-së dhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv (qeverisë). Ata funksionarë komunistë tashmë e kishin primatin udhëheqës në LDK. Po në “qeverinë Bukoshi në ekzil” kishte nga ata? Si nuk kishte!? Dihet mirëfilli se cilat funksione i kishin ushtruar disa ministra të kësaj “qeverie” deri në dhjetor 1989. Për momentin po më kujtohen emrat e Isa Mustafës dhe të Muhamet Bicaj. Po për Bujar Bukoshin, vërtet, dinim gjë atëherë? Pak, fare pak. Ai u afirmua vetëtimthi me një aksion spektakolar, i njohur si “kidnapim nga serbët me maska, duke i vënë thes në kokë” (?). Në disa takime me Bujarin nuk ngurruam të bënim edhe biseda “relaksuese”. Në njërën nga ato i pata bërë pyetje sugjestive: “Si nuk ke treguar asnjë foto të torturave që duhet të kenë bërë kidnapuesit serbë!?” Ose: “Si mund të arsyetohet që UDB-a ka rekrutuar spiunë zadrugarë (shitës) e mësues edhe në shitoret e shkollat në fshatrat më të thella të Kosovës dhe nuk paskësh qenë e interesuar të rekrutonte studentë shqiptarë që studionin në Beograd!?” etj. Në vend të përgjigjes, ai ma ktheu: “Për shkak të kësaj goje të keqe që ke, njerëzit të quajnë anarkistë, ekstremistë, armikë, prandaj të urrejnë e të luftojnë”.

Ajo “qeveri” caktoi “tatim” në emigracion prej 3 % në paga e fitime. Ajo “qeveri” mori në dorëzim mjetet financiare në aksionin gjithëpërfshirës “ta ndihmojnë shkollën shqipe” (isha anëtar i këshillit koordinues).

Ajo “qeveri” mori në dorëzim mjetet voluminoze të aksionit “Gjithçka për Drenicën” (mars-qershor 1998). Ajo “qeveri” nxori në shitje “bona” me vlerë prej 500 e 1 000 DM, me premtim se paratë e atyre “bonave” do të kthehen pas çlirimit të Kosovës. Etj.

Lëvizjes për rezistencë aktive dhe veprimtari çlirimtare, që përbëhej nga patriotët idealistë, iu mbeti ta përballojnë veprimtarinë e tyre me forca të veta. Masat e gjëra të emigrantëve ndihmat i derdhnin në fondin e Bukoshit e të Isa Mustafës.

Ajo “qeveri” themeloi shërbim inteligjent, nëse mund t’u zihet besë (dez)informimeve të Fadil Kajtazit, ndoshta për ta konkurruar shërbimin tjetër që kishte formuar “presidenti” Rugova, siç (dez)informoi Mehmet Loci.

Ajo “qeveri” themeloi FARK-un, edhe pse platformë përcaktuese LDK-ja, e cila kishte formuar “qeverinë”, kishte politikën “pacifiste” (por e themeloi që t’ia kundërvinte UÇK-së; ia dolën vetëm pjesërisht, meqë në ndërkohë e futem nën kontroll...).

Ajo “qeveri” simulonte qëndrimin më radikal, si alternativë për t’i zvarrit shpresat e të zhgënjyerve nga “politika pacifiste” e Rugovës etj.

Edhe këta individë çmohen si të përndjekur, edhe pse LDK-ja ishte “legalizuar” me regjistrimin e saj në Beograd, krerët e saj në Prishtinë i ruante policia dhe i favorizonte regjimi i Millosheviqit.

E pra, gjithë këta individë kanë shumë ithtarë, prandaj konfrontimet janë të dëmshme në këtë kohë.

Lëvizja dhe UÇK-ja nga cilat shërbime survejoheshin?

Kush duhet të ketë survejuar Lëvizjen (LPK) dhe UÇK-në gjatë viteve 1990-1999, respektivisht 1993-1999 dhe veprimtarët e tjerë patriotë e çlirimtarë, kur e gjithë struktura shqipfolëse e UDB-së ishte përfshirë në LDK!? Spiunë serbë nuk depërtonin dot në radhë tona, meqë i pengonte mosnjohja e gjuhës shqipe. Mund të thuhet, ato dy shërbime të sipërpërmendura na survejonin. Dhe kujt ia dorëzonin rezultatet, pos që bënin luftë speciale, intensivisht e më përkushtim, të paskrupullt, kundër LPK-së dhe UÇK-së!?

Kosova e çliruar dhe rikthimi në pushtet i ish-nomenklaturës komuniste nëpërmjet UNMIK-ut

Fatmirësisht ndodhi çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb por, fatkeqësisht, iu imponua protektorati ndërkombëtar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Enkas u formua UNMIK-u (Misioni i KN për Kosovën). Askush nuk është interesuar të bëjë studim, cilët njerëz e udhëhiqnin UNMIK-un. Nga informimet e përcipta që kam, sidomos në udhëheqje të tij operative, ishin pozicionuar ish-miq të Jugosllavisë (që kishin shërbyer si ambasadorë dhe personel diplomatik në Beograd). Ke përzgjodhën nga shqiptarët vendorë që të angazhoheshin në strukturat policore, prokuroriale, gjyqësore, administrative? Mbase asnjërin nga ish-të përndjekur politikë. Listat e ish-kuislingëve ua servonte Beogradi dhe kryesisht ata punësoheshin në kreun e policisë, në prokurori, në gjyqësi, në administratë. Kë angazhuan si përkthyes? Kryesisht ish-pjesëtarë të nomenklaturës ose fëmijët e tyre, meqë ata kishin qenë të privilegjuar ta mësonin anglishten, kurse të përndjekurit dhe fëmijët e tyre nuk i kanë pasur mundësitë ta mësojnë, edhe po ta dinin, nuk i angazhonin. Prandaj, si asnjëherë dhe në asnjë vend të botës, doli e fituar në zgjedhjet e para pas lufte ish-nomenklatura komuniste, e organizuar në LDK, e jo ata që e kishin bërë luftën, që e kishin mbajtur mbi supet e tyre pasojat kryesore të saj. Sigurisht, doli e fituar edhe për shkak të keqsjelljeve, abuzimeve e krimeve të disa pjesëtarëve që ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Demokracia është e zorshme

Edhe Aristoteli, para rreth 2300 vjetëve, duke analizuar e krahasuar mbi 160 kushtetuta të ish-qyteteve-shtete “greke”, ka shkruar se sa e zorshme është demokracia, fillimisht për ta përzgjedhur variantin më të mirë të saj, akoma më e zorshme për t’u praktikuar.

Do të mjaftonte argumentimi vetëm nëpërmjet një fakti, për të provuar se vërtet është e zorshme demokracia, nëse kemi parasysh rezultatin e zgjedhjeve të fundit: rritë numrin e votave partia që komandohet nga ish-funksionari komunist Isa Mustafa, i favorizuar si ministër-kuisling edhe nga regjimi neofashist i Millosheviqit.

Ky argument dëshmon pse Kuvendi i Kosovës nuk mund të miratojë ligj për lustracionin (siç po quhet, për të pamundësuar të konkurrojnë për t’u zgjedhur parlamentarë ish-pjesëtarët e nomenklaturës moniste). Praktika dhe përvoja e shteteve të tjera ka dëshmuar se nëpërmjet ligjit përkatës nuk po mund t’u pamundësohet konkurrimi i atyre pjesëtarëve të nomenklaturave moniste, sunduese.

Rasatet e individëve, që me pa dëshirë i evidentova (në libra e kam bërë më gjerësisht), mbase dëshmojnë mjaftueshëm se nuk duhet të kemi konfrontime mes ish të përndjekurve dhe përndjekësve të tyre (pjesëtarë të nomenklaturës komuniste, përfshirë këtu edhe strukturat e UDB-së, policisë, prokurorisë, gjyqësisë), meqë populli është i dyzuar. Insistimi i sforcuar i të përndjekurve për t’i dënuar ato struktura dhe për t’ua pamundësuar atyre rikthimin në pushtet, përçanë e konfronton shoqërinë tonë. Kosovës së brishtë nuk i duhen përçarjet e konfrontimet, sepse sfilitin energjitë e shoqërisë sonë për shtetndërtim e konsolidim të shtetit tonë.

Insistimi për t’i hapur dosjet është sqarues dhe produktiv? E para, cilat dosje, kush i ka bërë ato dhe kush i ka? E dyta, sa dhjetëra mijë dosje duhet të ketë (kur supozohet se strukturat e UDB-së duhet të kenë pasur rreth 80 mijë pjesëtarë). E treta, thuhet se të gjitha dosjet e shërbimeve janë në Beograd, atëherë do t’i dorëzojë regjimi serb në origjinal, të paprekura (apo ndoshta do të na dorëzohen kopje “dosjesh”, si në rastin e Ali Ahmetit me bashkëveprimtarë, kur u fabrikuan “dosje” nga Bozhidar Spasiqi, ish-shef federativ dhe Isen Musliut, ish-shefi i UDB-së për gjithë Pollogun, me porosi e pagesë të Menduh Thaqit)!? E katërta, çfarë traumash e konfliktesh do të shkaktoheshin kur ndonjë shok e bashkëveprimtar i deridjeshëm do të dekonspirohet si spiun, qoftë me “dosje” të falsifikuar, ose me dosje të saktë (siç më hidhërohen dhe armiqësohen me mua, kur diskreditoj “patriotët” për UDB-ash)!?

Këso pyetjesh për fantazmën “dosjet” mund të bëhen përplot, por ia vlen të harxhojmë kohë e energji për to, kur ato gjithsesi do të jenë vetëm kundërproduktive, irrituese, armiqësuese!? Në Kosovë dihen kush ishin UDB-ashët legalë, sepse atyre u paguhej rrogë e rregullt nga buxheti i KSA të Kosovës. 

Përse qenkan interesant spiunët, që u kanë ofruar atyre (dez)informata, e të cilat ata UDB-ash i kanë operacionalizuar, duke udhëhequr hetimet fillestare, kundër të përndjekurve politikë, të shoqëruar me tortura barbare, antiligjore? Plaku i urtë do të thoshte, duke ditë ku është ujku, nuk ka nevojë të kërkohen gjurmët që të dërgojnë tek ai.

Gjithashtu, të pamoralshme janë kritikat e ish të përndjekurve dhe luftëtarëve të lirisë kundër angazhimit të ish-UDB-ashëve dhe pjellës së tyre në strukturat shtetërore, kur i votojnë e rivotojnë të njëjtit qeveritarë, të cilët ua mundësojnë atyre punësimin në strukturat e shtetit, bile edhe i privilegjojnë.

Në përmbyllje them se shoqëria jonë duhet të përcaktohet për catarsis, pajtim, paqe sociale, ose të paktën për “armëpushim”, duke u orientuar që vetëm nëpërmjet votimit të ndodhë seleksionimi, pse jo edhe ndëshkimi i ish-pjesëtarëve të nomenklaturës komuniste, rrjedhimisht edhe ish-UDB-shëve. 

Votuesit kanë të drejtë t’i kushtëzojnë të votuarit e tyre që ta bëjnë seleksionimin, t’i mbajnë në punë vetëm ish-profesionalistët që zbatojnë ligjet. Kurse kundër ish-UDB-ashëve, që kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të përndjekurve politikë, në kundërshtim me ligjet e kohës, duhet të bëhen vetëm denoncime individuale, nëse individualisht nuk jemi në gjendje t’i falim.

Besoj, kam ofruar informata e (ç)velësime edhe për individë, të cilët, për mendimin tim, u kanë shërbyer shërbimeve të Beogradit e të Prishtinës, por që vazhdojnë të vlerësohen si çlirimtarë e heronj. Edhe të tillët ende kanë shumë ithtarë të tyre, kurse kryeshefat e atyre strukturave të atëhershme në Kosovë (edhe të UDB-së) si, ta zëmë, Fadil Hoxha (që tashmë komuna e Gjakovës do t’i ngritë përmendore), Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Isa Musatafa etj., gjithashtu kanë shumë ithtarë.

Megjithatë, meqë radhita ca emra, do të duhej të bëhej vlerësim i diferencuar, për funksionarë titistë të viteve të ’70-ta, të cilët kontribuuan në zhvillim të hovshëm të Kosovës dhe në funksionarë kuislingë të Beogradit neofashist gjatë viteve 1981-1998. Nga këta të fundit do t’i veçoja Azem Vllasin e Isa Mustafë si më tipikë, por numri i votuesve të Isa Mustafës dëshmon tepër qartë se sa e dyzuar është shoqëria jonë, çfarë vetëdije të sfilitur kombëtare e politike kemi.

Hakmarrja më e vyer e më e çmuar kundër ish-nomenklaturës komuniste, kundër ish-UDB-ashëve, kundër ish-kuislingëve të regjimit të Millosheviqit etj., ka ndodhur me Çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe nga bashkësundimtarët e tyre. Meqë kjo është e vërtetë, jam i mendimit se nuk na duhet hakmarrja e revanshizmit kundër mbetjeve të atij sistemi, prandaj apeloj të mos ndodhin, për hir të përparimit të shoqërisë e shtetit tonë.

Uroj të mos keqkuptohem, por jam i bindur, më të dëmshëm se ish-UDB-ashët dhe ish-funksionarët kuislingë, janë gjithsesi ata që po e vjedhin tani shtetin tonë. Kundër këtyre të fundit duhet të mobilizohen të gjithë qytetarët, sidomos ish-veprimtarët çlirimtarë.


Në fund të fundit, populli ynë ka mbijetuar robëri mbi dy mijëvjeçare, fatkeqësisht gjithnjë duke u tkurrur, përse atëherë të mos mund ta durojë këtë fazë të tranzicionit, e cila është shpejt kalimtare, meqë edhe ligji biologjik do ta bëjë “seleksionimin”, më shpejt sesa dëshirojmë, duke na vdekur, si ish-pjesëtarët e nomenklaturës, por ashtu edhe ne ish të përndjekurve. Gjeneratat pasuese pastaj, po deshën, le të merren me analiza, kush çfarë ishte dhe çfarë (s)ka bërë, t’i seleksionojnë, uroj drejtësisht, bazuar në sistemin e vlerave që dalin nga arsyeja racionale.

Kommentare

  1. kush i ka menagjue dhe si paret e "vendlindja therret", s keni informata ?

    AntwortenLöschen

Kommentar veröffentlichen

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?