Krimet e kryera nga regjimi i Titos: Gjermania, me sa duket, i mbronte vrasësit

Revista e njohur DER SPIEGEL ka ngritur akuza të rënda kundër qeverive të kancelarëve gjermanë Willy Brandt dhe Helmut Schmidt. Që të dy fajësohen se i kanë mbrojtur komandot vrastare jugosllave nga ndjekja penale me qëllim që të mos prishen marrëdhëniet me Jugosllavinë socialiste.

Ky dyshim, sipas DER SPIEGEL, bazohet në dokumentet qeveritare të viteve shtatëdhjetë, të cilat i posedon revista nga Hamburgu dhe aktualisht po luajnë rol në procesin gjyqësor në München që po zhvillohet kundër dy kroatëve, të akuzuar për vrasjen e një disidenti kroat.

Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq, të dy shefa të mëhershëm të shërbimit sekret jugosllav dhe kroat (derisa Kroacia ishte pjesë e Jugosllavisë), akuzohen se kanë organizuar vrasjen e disidentit Stjepan Gjurekoviq në landin e Bavarisë. Gjerekoviq, ish-menaxher i kompanisë së naftës INA, pas ikjes në Gjermani në fillim të viteve 80-të ishte kërcënuar se do t’i bëjë publike skandalet dhe korrupsionin e «bandës së kuqe komuniste». Gjurekoviq mbante kontakte të ngushta me emigracionin shqiptar, kishte shkruar edhe një roman për shtypjen në Kosovë nga regjimi i Beogradit dhe në varrimin e tij kishin marrë pjesë edhe disa aktivistë shqiptarë.

Sipas dokumenteve të qeverisë gjermane agjentët, të cilët u zbuluan gjatë planifikimit të atentateve ndaj disidentëve nga Jugosllavia, shpëtuan pa ndonjë pasojë. Ata vetëm u dëbuan nga Gjermania dhe iu ndalua hyrja në këtë shtet.

Një shkresë sekrete e Ministrisë së Drejtësisë të Gjermanisë numëron mes viteve 1979 deri 1982 gjashtë vrasje dhe dy përpjekje për vrasje ndaj kundërshtarëve të regjimit jugosllav në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë. Në shkresë nënvizohet se ekziston «dyshimi konkret» se pas këtyre vrasjeve dhe përpjekjeve për vrasje janë të involvuara «organet zyrtare jugosllave».

Kryeministri i atëhershëm jugosllav Veselin Gjuranoviq në një bisedë të besueshme me kancelarin Heomut Schmidt kishte thënë se autoritetet e sigurisë në Beograd «kurrë nuk do të kishin dhënë leje për aktivitete të tilla». Kancelari Schmidt ishte ndarë i kënaqur me këtë përgjigje, pa e ballafaquar Gjuranoviqin me dyshimet dhe dëshmitë e autoriteteve gjermane të sigurisë. Në periudhën e përmendur nga Ministria e Drejtësisë e Gjermanisë bie edhe vrasja e Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvallës në Untergruppenbach afër Heilbronnit.

Disidenti kroat Stjepan Gjurekoviq ishte vrarë më 28 korrik 1983 nga vrasës të shërbimit sekret komunist jugosllav në Wolfratshausen afër Münchenit. Ai kishte ikur nga Zagrebi, ku drejtonte marketingun e firmës INA. Gjurekoviqi ka shkruar disa libra si «Komunizmi: një mashtrim i madh», «Thyerja e idealeve», «Menaxherët e kuq», «Unë, Josip Broz Tito». Për opinionin shqiptar me rëndësi të dorës së parë është romani i Gjurekoviqit me tematikë shqiptare: në veprën «Bijtë e shqipes» («Sinovi orla») ai përshkruan gjendjen e rëndë dhe dhunën policore jugosllave në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981. Romani është si të thuash produkt i bisedave që Gjurekoviqi i kishte zhvilluar me aktivistë shqiptarë pas ikjes në Gjermani.

Në frymën e kohës janë edhe emrat e personazheve, një kombinim iliro-osmano-kristian: Ismail Kosova, Zef Gjoni dhe Mustafa Dardani në romanin e Gjurekoviqit diskutojnë e raportojnë për represionin policor në Kosovë, tregojnë rrethanat e diskriminimit dhe mendojnë për një vizion që dukej tejet aventurier në atë kohë: liria e plotë e Kosovës. Përfundimi i romanit është gati profetik: «Krimet që i kreu policia serbo-malazezo-maqedonase, në vend se t’i pacifikojnë shqiptarët, vetëm sa i nxitën ata edhe më shumë për luftë dhe përleshje pa pushim. Në Kosovë nuk do të ketë kurrë më paqe derisa shqiptarët nuk arrijnë lirinë e tyre, në të cilën kanë të drejtë të gjithë popujt e tjerë të botës, por tani për tani jo edhe ata, bijtë e shqipes…». Ismail Kosova, Zef Gjoni, Mustafa Dardani dhe shokët e tyre pyesin: përse rrugët e qyteteve të Kosovës quhen «Kraleviq Marko» dhe jo «Skënderbeu»? Romani «Bijtë e shqipes» është botuar në Wolfratshausen të Bavarisë, aty ku ishte vrarë e masakruar Gjurekoviqi.

Në varrimin e Gjurekoviqit kishte mbajtur fjalim edhe Emil Kastrioti alias Emin Fazlia nga Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, i cili me atë rast përbetohej se dita e hakmarrjes do të vijë dhe protestonte kundër autoriteteve gjermane, të cilat, sipas tij, qëndronin duarkryq përballë vrasjeve mafioze të shërbimeve të Beogradit. Dokumentet e botuara në numrin më të ri të DER SPIEGEL duket se i dhënë të drejtë këtij aktivisti politik shqiptar.

(Enver Robelli , Voice of Albania, 27.09.2015)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?